Përpos përgatitjeve në fushë drejt Euro 2016, për skuadrat pjesëmarrëse vijojnë edhe përgatitjet jashtë terrenit të lojës. E tillë është edhe mënyra e përfaqësimit në evenimentin në Francë, duke nisur nga slogani që skuadrat pjesëmarrëse do të mbajë në autobusët zyrtarë të evenimentit.Sondazhi i UEFA-s, për frazat të cilat do të paraqiten në mjetet e transportit të Kombëtareve në Kampionatin Europian ka hyrë në fazën e dytë.Përsa i takon Shqipërisë, pas votimit nga mijëra tifozë, u përzgjodhën tre frazat, nga të cilat do të zgjidhet edhe slogani final për ekipin kuqezi. Mes tyre figurojnë vargjet e Naim Frashërit “Ti Shqipëri më jep nder!”, të cilat janë mes simboleve të fanellës së Kombëtares në Euro 2016. Slogan tjetër është i mirënjohuri “O Sa Mirë Me Qenë Shqiptar!”, i përdorur nga grupimi Tifozat Kuq e Zi dhe që shumë shpejt u kthye në thirrje motivuese në stadium, ndërsa e treta është “Fluturo shqipe”.Në fazën e dytë, tifozët e përfaqësueseve pjesëmarrëse në Francë, duhet të votojnë një nga tre shprehjet finaliste, për të përzgjedhehur më pas edhe sloganin fitues.

Fraza të cilën Shqipëria do të mbajë në autobusin e saj gjatë pjesëmarrjes në Euro 2016 në Francë do të bëhet publike nga UEFA më datën 2 Maj, ashtu sikundër do të ndodhë edhe për 23 skuadrat e tjera finaliste.