Zlatan Ibrahimovic nuk e ka fshehur dëshirën për t'u transferuar në Premier League, kampionat në të cilin nuk ka mundur të luajë asnjë herë. Sulmuesi suedez është në përfundim të kontratës së tij me Paris Saint Germain dhe pritet që në fund të sezonit ai t'i thotë lamtumirë klubit francez. Manchester United do të kërkojë të përfitojë nga situata dhe duket se ka bërë gati ofertën për futbollistin 34-vjeçar. Sipas asaj që publikohet te tabloidi britanik “Daily Star”, drejtuesit e United i kanë ofruar Ibrahimovicit një kontratë 2-vjeçare, me një pagë prej 16 milionë eurosh në sezon, një shifër kjo që është shumë inferiore kundrejt propozimit të ardhur ditët e fundit nga Kina, që kapte vlerën e 75 milionë eurove në vit.
Por Ibrahimovic kërkon që të luajë ende në nivele të larta dhe këtë mund ta arrijë vetëm në Evropë. Manchester United me Ed Uduard po punon për ta bindur suedezin të zgjedhë kalimin në “Old Trafford” duke qenë se për të janë interesuar edhe Arsenal, Chelsea e së fundmi edhe Napoli.