Asnjë futbollist nuk ka pasur më shumë ndikim te një klub sesa Johan Krujfi te Barcelona, aq sa vitet përpara se ai të shkelte atje, njiheshin me humor si “BC” (Before Cruyff, Përpara Krujfit).
Johan Krujf ishte kapiteni i Holandës në Botërorin e 1974, në kulmin e karrierës së tij, duke i dërguar “tulipanët” në finale. Tek Ajaksi, ai fitoi 7 tituj kampion, por më të rëndësishmit ishin 3 Kupat e Kampioneve 1971-73. Karriera e Krujfit tek Ajaksi eci në një paralele me atë të trajnerit Rinus Mishels, në zbatimin e futbollit total. Ishte një futbollist që nuk i pëlqenin rregullat në fushë, ishte një shpirt i lirë brenda dhe jashtë saj. Kur debutoi me klubin spanjoll në fitoren 4- 0 ndaj Granadës në tetor 1973, Barcelona nuk e fitonte titullin prej 14 sezonesh e jo më të krahasoheshin me Realin për sukseset në Europë.
Ai mund të kishte zgjedhur të shkonte te Reali, madje Ajaksi atje tentoi ta transferonte, por ai u rebelua dhe këmbënguli të firmoste për katalanasit. Falë një gjesti të tillë, ai u shndërrua në idhull ende pa shkelur në “Kamp Nou”. Që në sezonin e parë me Krujf, ata u shpallën kampionë falë 16 golave të tij.
Një golashënues i lindur dhe shërbyes gjithashtu, Krujf shpiku edhe lëvizjen e tij të famshme të njohur si “Kthesa Krujf”. Si trajner ai ishte një diktator jashtë fushe, por brenda saj lojtarëve u thoshte: “Bëni çfarë të doni”. Krujf është arkitekti i “skuadrës së ëndrrave”, nofkës që mori Barcelona në 1992, vitin që ai u dhuroi trofeun e parë të Kupës së Kampioneve në “Uembli”. Këmbëngulja e tij për të luajtur me 3 sulmues në skemën 4-3-3 me një numër 4 inteligjent përpara qendërmbrojtësve, i cili do të funksiononte si truri i skuadrës, aplikohet me sukses ende sot. Luis Enrike nuk është një “Krujfist”, por Mesi, Suarez dhe Nejmar dhe roli i Busketsit janë homazhi më i mirë që i bën sot e kësaj dite Barcelona ish-trajnerit të saj, sa herë zbret në fushë.Numri 4 i Krujfit ishte Pep Guardiola dhe ai, ashtu si Van Gali, Rajkardi dhe Vilanova, fitoi trofe duke luajtur stilin e Krujfit.
Fjalimi i Krujfit përpara finales së 1992 mbetet ende urdhri i parë i pashkruar i klubit të Barcelonës: “Salid y disfrutad” (dilni në fushë dhe argëtohuni) u tha lojtarëve. Dhe ata vazhdojnë ta bëjnë prej atëherë…I magjishmi Johan Krujf mori frymë për herë të fundit më 24 mars 2016, duke u ndarë nga jeta në moshën 68-vjeçare.