Federata Shqiptare e Futbollit prezantoi në një ceremoni gala në sallën e Akademisë së Arteve uniformat e reja të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, të përgatitura nga sponsori i ri teknik i kuqezinjve, “Macron” posaçërisht për paraqitjen në Euro 2016. Pas emocioneve të himnit Kombëtar të kënduar live nga tenori Kastriot Tusha, i takoi Etrit Berishës të prezantonte i pari uniformën e portierit, edhe pse unike, disi familjare për gardianin kuqezi që vishet me të njëjtën markë edhe te Lazio.“Duket shumë e mirë, e kena dhe te ekipi i Lazios këtë Macron”.

Padyshim ilaritet në grupin e futbollistëve të Kombëtares në sallë në momentet që Berishës i duhet të bëjë modelin, tjetër tregues i atmosferës që ekziston në gjirin e kuqezinjve, ndërsa më pas i takoi Sokol Cikalleshit dhe Ansi Agollit të prezantonin tutën e stërvitjes. Dy fjalë edhe nga Përfaqësuesi i Macron, Roberto Mazzolari që u ngjit në skenë përkrah Shefit të Marketingut në FSHF, Gazmend Malo.

“Është një nder i madh të jesh sponsor i një kombëtareje kaq të madhe, jo vetëm në moment kur ndodhi ky kualifikim i jashtëzakonshëm, por sepse gjithmonë ka qenë një skuadër krenare që përfaqëson një popull me kaq shumë pasion, kaq shpirt i cili reflektohet te kjo skuadër me këtë frymë kaq të mirë. Lidhja me italinë është e fortë edhe për stafin Teknik me De Biasin. Ne jemi krenarë që realizuam një koleksion unik, ajo që shikojmë është një fanellë e disenjuar bashkërisht me Presidentin dhe Federatën dhe u realizua diçka absolutisht unike për të respektuar edhe dëshirat e kombëtares”.

Uniformat e dyta, me ngjyrën e bardhë u prezantuan nga garancia e mbrojtjes Mërgim Mavraj, dhe protagonisti i mrekullisë në Portugali, Bekim Balaj. Për De Biasin rëndësi kanë vlerat që përfaqëson kjo fanellë dhe ruajtja e unitetit në një moment delikat të përzgjedhjes së grupit për në Francë. “Dua t’ju them që pas kësaj fanelle janë këta djem që kanë kontribuar për diçka kaq të rëndësishme, dhe uroj që me këta djem të qëndrojmë me të njëjtin unitet dhe shpirt grupi duke mishëruar vlerat e kualifikimit në vazhdim. Duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe në muajt e ardhshëm kur të vendosim se cilët do të jenë ata që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Francë”.

Nderi për të përfaqësuar fanellën e tretë, në ngjyrë të zezë i takoi Shkëlzen Gashit dhe Taulant Xhakës. Ndërsa nuk mund të rrinte pa u ngjitur në skenë dhe kapiteni Cana, i vlerësuar gjerësisht jashtë vendit edhe për vlerat e tij si model apo më saktë përcjelljen e imazhit.” Së pari shpresoj që kjo fanellë e re t’ju pëlqejë siç na ka pëlqyer dhe neve dhe shpresojmë që ta nderojmë gjithmonë siç kemi bërë deri më tani. Jam i sigurt se do të na sjelli edhe fat. Gjëja më e rëndësishme janë simbolet që mbajmë brenda”.Nga numri Një i federatës, Presidenti Duka, përtej falënderimeve edhe ambiciet për të vijuar misionin në Francë.

“Dua të falënderoj pjesëmarrësit dhe veçanërisht një falënderim për Sektorin e Marketingut në FSHF, jo vetëm për aktivitetin por dhe marrëdhënien e re të krijuar. Do të doja të falënderoja për arsye specifike edhe publikisht çunat për suksesin që keni arritur. Faleminderit, na kenë bërë krenarë me rezultatet tuaja dhe këto janë fryt i punës tuaj. Keni bërë krenar çdo shqiptar dhe keni shkruar historinë e futbollit shqiptar. Nëse na çoni më tej në Francë do të na bëni akoma më shumë krenarë”.Mbyllja, me të gjithë bashkë, skuadrën më të dashur të gjithë shqiptarëve nën tingujt e “We are the Champions”,. pasi me të vërtetë këta janë kampionët tanë.