Me atë që ka arritur Shqipëria gjatë kualifikueseve, trajneri i saj është tashmë një ndër më të vlerë- suarit në mediat e ndryshme botërore. Puna e tij me një Kombëtare të vogël si e jona ka bërë që De Biazi të renditet mes emrave të strategëve që mund të marrin skuadra të njohura, si në nivel klubesh, apo edhe kombëtaresh.
Gjatë ditës së djeshme, të gjitha mediat italiane i kanë bërë jehonë një lajmi të publikuar fillimisht te “Romatoday.it”. Një lajm që bënte me dije se Xhani De Biazi është një alternativë që duhet marrë në konsideratë për të zëvendësuar Piolin në rast largimi nga bardhekaltrit. Sipas tyre, ishte marrëdhënia e mirë mes tij dhe drejtorit sportiv, Igli Tare, ajo që i mundësonte trajnerit aktual të kuqezinjve që të ishte në krye të Lacios në përfundim të Europianit. Diçka e tillë nuk është hera e parë që qarkullon në mediat italiane, ndërkohë që është rikthyer edhe një herë në vëmendje, pasi pak ditë më parë emri i trajnerit të kuqezinjve u lakua si alternativë e drejtuesve të federatës për të marrë drejtimin e kombëtares italiane pas largimit të Antonio Kontes në përfundim të Europianit.
I kontaktuar, drejtori sportiv, Igli Tare, ka dhënë një përgjigje ekskluzivisht rreth këtij lajmi. Ai ka qenë i drejtpërdrejtë në fjalën e tij: “Akoma vazhdohet me këtë histori?! Kam raport korrekt me të, por De Biazi nuk ka qenë asnjëherë në diskutim për te Lacio”, shprehet numri dy në skuadrën kryeqytetase në Serinë A. Pioli shihet gjithnjë e më shumë në rrezik nga mediat italiane, duke qenë se bardhekaltrit nuk arritën që të vijonin më tej as në Europa Ligë, që ishte mundësia e vetme e mbetur për të shpëtuar sezonin. Siç raportojnë mediat përtej Adriatikut, edhe Etrit Berisha mund të jetë pjesë e listës së lojtarëve që do të largohen nga Lacio, e cila për sezonin tjetër pritet të ketë një revolucion.