Dy inspektorë të Tatimeve janë dhunuar fizikisht nga një parukiere në Tiranë gjatë aksionit kundër informalitetit.

Incidenti është shënuar në gusht të vitit 2015, në një parukeri pranë zonës së ish­-Bllokut, ku debati mes parukieres Elvira H. dhe dy inspektoreve femra ka pasur si shkak nisjen e procedurës së gjobës për mungesën e kasës fiskale.

Pas debateve, situata ka agravuar deri në fyerje personale nga ana e parukieres në drejtim të inspektoreve e më tej përshkallëzoi deri në përdorimin e forcës.

Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtore “protagonisten” e ngjarjes, parukieren Elvira H., për akuzën e “goditjes për shkak të detyrës”.

Ajo u dënua me 6 muaj burg, por nuk do të qëndrojë asnjë ditë në qeli, pasi gjykata vendosi pezullimin e dënimit me burg, duke e lënë në liri me kusht të pandehurën për një periudhë prej 18 muajsh.