Ekipi i teutës ka bërë analizën e humbjes së pësuar. Sipas kapitenit Rustem Hoxha, kjo humbje erdhi nga një rast sporadik, si dhe ndikoi shumë edhe dëmtimi i Bruno Ditës, që e la ekipin me 10 lojtarë për më shumë se 15 minuta. Ai u kërkon falje tifozëve që ishin të shumtë në shkallët e stadiumit dhe shton se skuadra do të luftojë fort dhe do të japë maksimumin për të siguruar pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

“Prononcimin tim dua ta nis me një ndjesë për tifozët që ishin të shumtë në shkallët e stadiumit. Ata e meritojnë kërkimin e faljes, jo vetëm nga ana ime, por e gjithë ekipit të Teutës. I zhgënjyem ndaj Partizanit, por u premtoj që do të rikuperojmë shpejt dhe do të luftojmë deri në fund për të qenë pjesëmarrës në Kupat e Europës, objektiv më se i arritshëm.

Kampionati ka edhe nëntë finale, kështu që ne duhet të bëjmë detyrën tonë dhe do të luftojmë fort në të gjitha ndeshjet. Humbjen me Partizanin do ta konsideroja aksidentale, pasi vendosi një episod që duhej shmangur dhe përgjegjësia bie mbi të gjithë ne.Fatkeqësisht, kur kishte ende kohë që të rikuperonim golin e pësuar, u dëmtua Bruno Dita dhe në 15 minutat e fundit mbetëm me një lojtar më pak në fushë. U hodhëm në sulm, por duke qenë me një lojtar më pak, lamë hapësira në prapavijë dhe të kuqtë na ndëshkuan.

Rezultati duhet të ishte ndryshe, por në përfundim fitorja i shkoi Partizanit. Tani duhet të shikojmë përpara dhe të përgatisim si duhet përballjen me Flamurtarin. Ky përqendrim duhet jo vetëm për këtë ndeshje, por për të gjitha përballjet e fazës së katërt.E thënë ndryshe, duhet të dimë që t’i administrojmë këto takime. Për mua takimet e luajtura nuk janë më objekt i diskutimeve. Ne shikojmë rrugën e mbetur të kampionatit dhe asgjë tjetër. Fatmirësisht, kemi një grup të mirë dhe staf që di të motivojë ekipin”, u shpreh kapiteni i Teutës, Rustem Hoxha.