Nga Renato Shkulaku

(Kënvështrimi i një maturanti në lidhje me ngjarjen që ndodhi në policinë e Matit)

Të kesh një punë sot, do të thotë të jesh një njeri shumë me fat , pasi të gjithë përpiqen që ta zotërojnë një të tillë, dhe në ditët e sotme është shumë e vështirë. Në shumë vende të botës, njerëzit përpiqen që ta përfaqësojnë me dinjitet profesionin e tyre. Ata punojnë me ndershmëri dhe për këtë gjë ata meritojnë respekt.

Por ç'farë ndodh në Shqipëri? A e meritojnë vërtet individët punën që kanë?

Fatkeqësisht në Shqipëri po shohim raste të paprecedentë, ku persona të ndryshëm shpërdorojnë detyrën që ata kanë. Rasti më i fundit ndodhi në policinë e Matit, ku skandale seksuale kanë plasur atje. Lidhje intime mes zyrtarëve apo punonjësve të policisë me oficeret janë denoncuar me anë të mesazheve të shumta telefonike. Në të shumtën e rasteve në to shkruhej se “X” zyrtar apo punonjës policie ka lidhje intime me “Y” punonjëse të këtij institucioni kaq të rëndësishëm. Mesazhet vinin nga një numër, i paregjistruar. “Shefi L.A. flirton me punonjësen …” ishte njëri nga SMS-të që i ka shkuar edhe ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Por përveç akuzave për lidhje intime, gjithashtu janë dërguar mesazhe për lidhjet e oficerëve dhe punonjësve të policisë me kontingjentë të krimit.

Këto ngjarje të pakëndshme, nga individë të papërgjegjshëm, tregojnë realitetin shqiptar. Një realitet të hidhur, ku ligji dhe demokracia nuk po respektohen. Këta persona, vërtetojnë se nuk e meritojnë vendin e punës që kanë, por e kanë fituar atë me anë të korrupsionit ose “mikut”. Fatkeqësisht asnjë masë nuk po merret kundër këtij fenomeni shumë negativ, që ka qenë dhe është plagë e shoqërisë tonë. Një fenomen, i cili rrit pakënaqësinë, krimin, korrupsionin, ku dhe ne të rinjve, na “pret” shpresat për një të ardhme shumë më të mirë dhe për një vend ideal për të jetuar.

Por pse shteti ynë nuk e merr mundimin t'i parandalojë këto ngjarje të shëmtuara?

Shteti nuk po i vlerëson ne maksimum këto çështje.

Ai në asnjë mënyrë nuk duhet t'i lejojë këta njerëz të papërgjegjshëm të ushtrojnë një profesion të caktuar, kur ata nuk e meritojnë. Herë pas here duhet të ketë kontrolle të vazhdueshme, të cilat, për mendimin tim duhet të jenë të pa lajmëruara, ku dhe do të tregohet, a punohet në mënyrë korrekte apo jo. Përveç kontrolleve të vazhdueshme, shteti duhet të marrë një sërë masash të tjera, në mënyrë që ligji dhe drejtësia të sundojnë në vendin tonë, dhe jo “miku” apo korrupsioni.

Ne jemi ende një vend i prapambetur, ku shkaktarë për këtë gjë, janë këto ngjarje të shëmtuara por edhe shumë të tjera. Shqipëria synon për t'u bërë pjesë e Bashkimit Europian, por për fat të keq ne nuk jemi në rrugën e duhur. Realiteti na tregon se ne kemi shumë rrugë për të bërë që të “europianizohemi”. Në vend të këtyre policëve të cilët shpërdorojnë detyrën, mijëra individë të tjerë të talentuar dhe të mirarsimuar mund ti kryejnë në mënyrë perfekte dhe me ndershmëri këto detyra. Rruga e tyre duhet të hapet, dhe jo të mbyllet vetëm se nuk kanë “mikun”. 

Tashmë ka ardhur koha të fitojnë njerëzit që studiojnë, që punojnë fort, të cilët çdo gjë e fitojnë me djersën e ballit. Rinia Shqiptare duhet t'i luftojë me forcë të gjitha ngjarjet që do kërcënojnë drejtësinë, sepse kjo rini do jetë e ardhmja e vendit, e cila do e kthejë Shqipërinë në rrugën e drejtë, në rrugën e Bashkimit Europian. Pra të ardhmen e vendit tonë e kemi ne në dorë, dhe të gjithë së bashku kemi mundësinë të bashkohemi për të luftuar për veten , shoqërinë dhe sigurisht për Shqipërinë tonë.