Ashtu siç paralajmëruan edhe rezultatet e provave të lira dhe zyrtare, gjithçka ka nisur aty ku u mbyll kampionatin e kaluar. Mercedes mori dy vendet e para në garën për Çmimin e Madh të Australisë. Nico Rosberg kaloi i pari vijën e finishit pas 57 xhirove, ndjekur më pas nga Leëis Hamilton. Pas një nisjeje jo të mirë për të dyja makinat Mercedes, gjithçka rekuperohet në sajë të strategjisë së skuadrës si për Rosberg, ashtu edhe për Lewis Hamilton, i cili e kaloi në fund finishin i dyti. Gjërat filluan shumë mirë për Ferrarin në Melburn, ku Vettel mori kryesimin në start dhe pak metra më pas Raikonen u rendit i dyti duke lënë pas të dyja makinat gjermane, por gjërat nuk shkuan mirë për skuadrën italiane deri në fund të garës. 

Strategjia e zgjedhur për gomat e Sebastian Vettel nuk dha rezultatet e pritura dhe katër herë kampioni i botës e kaloi finishin i treti, ndërkohë që Ferrari i finlandezit Raikkonen pati një problem mekanik dhe u tërhoq përpara mbylljes së garës. Një pikë kthese që ndryshoi rrjedhën në këtë Çmim të Madh ishte aksidenti i rëndë i Fernando Alonsos, që për fat të mirë nuk pati pasoja për pilotin spanjoll të skuadrës McLaren. Rosberg, Hamilton dhe Vettel plotësojnë tri vendet në podium, ndjekur nga Ricciardo, Massa, Grosjean, Hulkenberg dhe Bottas. Formula 1 rikthehet pas dy javësh në garën për Çmimin e Madh të Bahreinit.