Nga Thanas Mustaqi

"Kot e akuzojmë Blushin që është bërë si Berisha, ai është burrë shteti në llojin e vet, Blushi më shumë ngjan me Grida Dumën", është një paralelizëm i papritur i kryetarit të superbashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Ky i fundit nuk është shquar për protagonizëm në "tavën" e madhe të politikës të së majtës shqiptare. Deklarata e fortë e Dakos para Asamblesë Kombëtare socialiste për shpirtin binjak Blushi – Duma lë shteg për hamendësime në tre rrafshe.

Bumerangu i mediatizimit

Ndonëse anëtar i kryesisë qendrore të PS, Dako ka ruajtur një profil kaq të ulët, saqë u shpërfill nga bota mediatike e "Rognerit" dhe "Sheratonit". Krijohej përshtypja sikur inxhinieri i ndërtimit dhe biznesmeni Dako ishte një anonim, askushi, para “yllit” në ngritje në PD, sikurse u projektua dhe u propagandua Grida Duma po nga ata "dizenjatorë" që po pompojnë tani Blushin. Dihet katastrofa e Dumës: trullosëse, e papërfytyrueshme nga ajo vet, po e po, si dhe nga gazeta, televizione, portale on-line, që zhvilluan një agresion të vërtetë ndaj përfaqësuesit të PS. Mezazhi është i qartë: mediatizimi i tepruar kthehet në bumerang. Blushi vjen nga shtypi (RD, DW, KJ) në politikë dhe e di rëndësinë e tij, për më tepër që ish-kolegët apo vartësit e tij janë aktivë në medie. Por atë që nuk po kuptojnë as Grida Duma as Blen Blushi është se mjetet e komunikimit masiv në Shqipëri nuk kanë atë ndikim që kanë pasur në vitet 1990 – 2005. Tirazhet e gazetave janë në shifra të mjerueshme. Talk show-ve po u bie dukshëm audienca. Kështu Blushi, duke i bërë publike rezervat ndaj PS, ka fituar pikë tek opozita, por kredencialet i kanë rënë në pikiatë brenda së majtës.

Fijet në parapaskenë

"Do të të shkatërroj", kështu i ka thënë para një viti e gjysmë Blushi Dakos, sikurse dëshmoi ky i fundit. Mund të spekulohet se Blushi do të punonte në prapaskenë për të ndërsyer mediet kundër Dakos, të aktivizonte "mbetjet" nanoiste në Durrës në favor të Grida Dumës. Këtë e vërteton krahasimi me Blendi Klosin, numrin 1 të listës së Durrësit, i cili nuk veproi si Blushi në Elbasan apo në fshehtësi në Durrës. Blushit nuk ia ka prerë mendja se PS-ja do të fitonte në mënyrë spektakolare në Tiranë, Elbasan, Durrës, Korçë, Fier, Vlorë. Është për t'u vënë në dukje se Durrësi nuk është më "bastion" i Nanos, ku Blushi, si ish-ministër në arsim dhe pushtetin vendor, u ka bërë favorizime personave të veçantë. Dikush ka shkuar me LSI apo ka të punësuar familjar në dikastere të LSI, dikush është tërhequr, dikush është këshilltar i PS. Ndoshta Blushit nuk i ka ardhur mirë që shefi i kabinetit të Dakos është ish-drejtor arsimi me mesatare mbi 9 në shkenca të natyrës, që ai e shkarkoi në emër të "meritokracisë" (duke pasur parasysh Blushin, meritokracinë e Nanos Dritëro Agolli e etiketoi si "shkërdhatokraci").

Thellë e më thellë

Duke kërkuar përjashtimin nga PS, Dako synon ta shohë Blushin të humbur thellë si alter-egoja e tij Grida Duma. Të gjitha portalet e dhanë këtë deklaratë, duke nënvizuar se Dakoja bëri atë që as Rama nuk ka guxuar ta thotë. Madje, jo vetëm kreu i PSSH-së, por as deputetë apo figura të tjera të saj. Është e çuditshme që as Blushi dhe as "spin doctoring"-u vullnetar i tij me analistë dhe editorë nuk e kan sulmuar publikisht Dakon për kërkesën e skajshme të përjashtimit. Mund të spekulohet se nuk duan të faktorizojnë, ndërkohë që për ndonjë kritikë me pambuk të personaliteteve të majta kanë bërë namin në komente, intervista, analiza, letra të hapura. Por nuk përjashtohet fakti që Blushi të ketë frikë. Kjo pasi Dako ka qenë drejtor i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Durrësit dhe di shumë…