Nga Renato Shkulaku
Mësuesi duhet të merret shembull nga të gjithë njerëzit, sidomos nga nxënësit. Ata duhet të përcjellin te të rinjtë dashurinë, mirësinë, kulturën, drejtësinë, sinqeritetin etj., ku dhe nxënësve do t’u duhen këto vlera për të ardhmen e tyre, për t’u bërë pjesë e një shoqërie të drejtë, një shoqërie europiane.
Por sa përcillen këto vlera në Shqipëri?
Fatkeqësisht, sot në Shqipëri po ndodhin raste të paprecedenta, ku shohim se mbi të rinjtë shqiptarë po ushtrohet dhunë. Ngjarja më e fundit ndodhi në shkollën 9-vjeçare të Ostrenit në Bulqizë, ku një mësues goditi me drutë e sobës 12 nxënës. Adil Muça, mësuesi 60 e kusur vjeçar, dhunoi nxënësit e klasës së tretë. Një prej tyre është në klasën e parë. Katër prej nxënësve u dërguan në spital, dhe gjendja e tyre paraqitet e rëndë. Ky rast u denoncua nga prindërit e fëmijëve. Gjithashtu bëhet me dije se mësuesi ishte në gjendje të dehur, dhe se fatmirësisht ai u shkarkua nga ky profesion i nderuar.
Por a mjafton kjo? Si mund të zhvillojnë këta mësues një orë mësimi, në gjendje të dehur? Në dorën e kujt jemi sot ne, të rinjtë shqiptarë? Por sa “Adil Muça” të tjerë mund të ketë në Shqipëri?
Pra, nga këto ngjarje të shëmtuara, te çdo fëmijë apo edhe te prindërit e tyre, lind frika dhe pasiguria, se në dorë të kujt mund të jenë ata, dhe se në të ardhmen mund të bëhen viktima të këtyre mësuesve të papërgjegjshëm, ku tregojnë se me këto akte, kanë nevojë ata të marrin dije dhe kulturë, por jo të japin. Tek ata, nuk shohim vlera njerëzore, por disa “përbindësha” që nuk mendojnë për pasojat apo para kujt gjenden. Si ushtrojnë dhunë te fëmijët ata, kur edhe vetë mund të jenë prindër?!
Pra, realiteti tregon se shoqëria shqiptare nuk është në nivelin e duhur për t’u bërë pjesë e familjes europiane, dhe se vërtet duhet të bëjmë shumë punë. Si fillim, duhet të mbrojmë jetët tona, dhe t’i parandalojmë këta njerëz.
Por ç’po bën shteti? A mund të jemi të sigurt ne, për jetët tona?
Megjithëse ky mësues u shkarkua, përsëri nuk mjafton kjo gjë. Të ngresh dorën mbi fëmijët, cilësohet në krim i rëndë, dhe dënimi për atë duhet të jetë burgimi. Shteti duhet të marrë masa dhe t’i parandalojë këto ngjarje të hidhura. Roli i mësuesit në shoqëri ka rëndësi jetike për formimin e nxënësve, dhe duhet vlerësuar. Aktualisht, kjo nuk po ndodh, sepse shumë mësues në Shqipëri, kanë qenë nxënës jo të shkëlqyer, me mesatare të ulët të mësimeve, dhe nuk mund t’u japin fëmijëve kulturën dhe dijet e duhura. Ata duhen testuar sa më parë, por jo vetëm me shkrim. Duhet testuar edhe durimi i tyre, sjellja etj., që në të ardhmen të shmangen këto raste. Shteti duhet ta rrisë rëndësinë e këtij profesioni, që nuk mund të arrihet nga çdokush. Mësuesi është prindi i dytë i nxënësit dhe jo makthi i tij. Prandaj nuk duhet të lejojmë këta njerëz të cenojnë këtë marrëdhënie.
Ne jetojmë në demokraci dhe këto ngjarje nuk duhet t’i lejojmë për asnjë arsye të ndodhin. Ne duhet të luftojmë fort që ligji të zbatohet dhe drejtësia të vihet në vend. Vetëm në këtë mënyrë mund të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian.





