Nga Arben Rrozhani
Kur vjen fjala për parqe dhe për pemë, partitë politike në Shqipëri dhe qeverisjet e tyre, duhet t’u tremben si djalli prej temjanit. Përballë pemëve dhe natyrës, të majtë dhe të djathtë, kanë bërë aq shumë zullume dhe i kanë rënë aq shumë në qafë këtij vendi sa do të duhen dekada për të zhbërë ato që kanë bërë, mbi natyrën e bukur, mbi burimet e saj natyrore, mbi pasuritë që çdo vend tjetër i ka ruajtur me fanatizëm për t’i gëzuar sot dhe për t’ua lënë trashëgim brezave.
Pas protestës së djeshme te Liqeni Artificial i Tiranës, që përfundoi në mënyrë aq të shëmtuar, nuk është vendi më për akuza të ndërsjella, por për reflektim se kush jemi dhe çfarë duhet të bëjmë.
Është mirë që Bashkia nuk ka pse të bëjë një park lojërash brenda parkut. Mjaft “parqe” janë bërë në atë park. Mjaft është kafshuar nga poshtë e nga lart, nga bashkia e Tiranës nga njëra anë dhe nga komunat nga kodrat. Mjaft është zaptuar mbi dhe nën digë, me një harbutëri të pashoqe, për të betonizuar çdo pëllëmbë të saj, mundësisht për t’i ngulur plintat e betonit edhe mbi ujin e liqenit të tkurrur.
Bashkia, që mbron projektin e saj si shumë miqësor me natyrën, më mirë le ta zhvendosë atë në një zonë tjetër. Ose, atë investim që ka menduar ta bëjë atje, le ta shpërndajë nëpër lagjet e betonta të Tiranës, ku fëmijët po thyejnë hundët, bërryla dhe gjunjët nëpër shkallë pallatesh dhe parkingje makinash.
Protesta e Tiranës dje, nuk ishte e shoqërisë civile. Ca fytyra të urryera, të majmura në vitet e keqqeverisjes së bashkisë së Tiranës nga Lulzim Basha, e hodhën në erë të ashtuquajturën shoqëri civile. Ajo sot ka të drejtë të protestojë, por jo për parqe dhe për pemë. Shoqëria civile, si krah i armatosur i PD-së, ka 1000 herë të drejtë të protestojë jo kundër Veliajt, por kundër Ramës, se ua ka prerë fondet qeveria, kur merrnin me lopatë paratë e buxhetit, si OJF të pavarura, apo si agjenci që mbronin konsumatorin, mjedisin, apo qytetarin.
Protesta e Tiranës ishte një shfaqje e mjerë e instinktit të pashuar të PD-së, që, edhe kur është në opozitë, të bëjë të kundërtën e asaj që bën kur është në pushtet.
Prej vitit 1992, PD-ja ka pasur më shumë vite në drejtim të bashkisë së Tiranës, se sa PS-ja. E mbajmë mend shumë mirë, sa shumë e deshi këtë Tiranë të lulëzuar që e mbushi me kioska, më pas me ndërtesa në çdo cep trotuari, parku dhe skarpatë Lane. Gjatë mandatit 8-vjeçar të qeverisjes qendrore, Sali Berisha dhe pushteti i tij pushtuan deri në breg të liqenit, parkun e Tiranës, siç bënë me gjithë territorin e vendit. Ato pallate që janë sot aty në shëmtinë e tyre anash digës janë firmosur dhe lejuar të ndërtohen në kohën dhe nën pushtetin e Berishës. Aty poshtë digës, në ca gropa të stërmëdha, po ndërtohen kulla të tjera, që janë firmosur nga ish-kryetari i bashkisë, Lulzim Basha. Kodrat e bukura dhe të buta mbi liqen u betonizuan në mënyrën më tragjike nga kryekomunarët e PD-së. Farka e drejtuar nga zullumqarët e Berishës e shëmtoi kurorën e gjelbër mbi basenin e Liqenit Artificial, me një xhungël shumëkatëshesh, që larg qoftë do të bien si kuti shkrepësesh, po rrëshqitën kodrat, siç po rrëshqasin.
Por me gjithë këtë trashëgimi kriminale në mjedis, si në çdo fushë tjetër, PD-ja e sotme ka fytyrën dhe guximin që të dalë në protestë për të mbrojtur pemët dhe parqet. Një javë më parë, por edhe dje, në vendin ku u përleshën protestues dhe policë ishte edhe “superdhëndri” i Berishës dhe biznesmenë të saj, që janë shquar prej vitesh për hapjen e gropave në malet e Krujës për guroret e gëlqeres, djegien e gomave të përdorura për të nxjerrë milionat me gëlqere dhe nxirë jetën banorëve të zonës së Krujës dhe Tiranës, mbushjen e çdo cepi të lirë në Tiranë me pallate dhe biznese fitimprurëse. Kjo është oferta që ka PD-ja për popullin, për të ardhur sërish në pushtet.
Bashkia e Tiranës, me stafin e ri drejtues, ka sfidën e madhe të rigjenerimit të kryeqytetit, në shumë aspekte. Por edhe të parkut. Betoni kodrinor nuk mund të zhbëhet, por gropat poshtë digës mund të mbushen dhe t’u kthehen qytetarëve si ambiente çlodhëse. Ato biznese që kanë prej vitesh brenda parkut duhet të prishen se mjaft kanë bërë milionat duke shitur gjellë për vizitorët, apo diploma për nxënës të llastuar. Aty duhet të mbillen vetëm pemë. Nëse duhet ndërtuar një kasolle le ta ndërtojnë me drurin e prerë po aty. Për të tjerat, nuk ka nevojë Parku i Tiranës. Le ta lëmë në qetësinë e tij, siç e bënë të parët tanë, më se 6 dekada më parë, me pemë, fushëza, rrugina, fëmijë e të rritur që u është nxirë jeta nga betoni, dioksidi i karbonit dhe ndotja akustike.
Po e bëmë këtë shpëton edhe shoqëria civile nga PD-ja, sepse kjo parti e katrahurës dhe e rrumpallës i trembet natyrës, si djalli temjanit.
“Shekulli”





