Komiteti i Etikës së FIFA-s do t'i kthehet çështjes Michel Platini në 18 dhjetor kur presidenti i UEFA-s dhe kandidat për kreun e FIFA-s do të merret në pyetje në Zyrih. Por mesa duket, Platini është tashmë i dënuar, gjë që e thekson edhe zëdhënësi i këtij komiteti, Andreas Bantel në një intervistë të dhënë për të përditshmen 'L'Equipe' duke theksuar se akuzat për korrupsion në drejtim të Platinisë dhe Blatter-it janë të bazuara në prova duke shtuar se Platini me siguri do të pezullohet për disa vjet.
Kjo është një tjetër goditje që vjen në drejtim të francezit, pas refuzimit të apelit të tij nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv për pezullimin prej 90 ditësh të marrë nga FIFA për shkak të shifrës prej 1.8 milionë eurosh që ai mori nga Blater në 2011-n për një konsulencë në favor të FIFA-s në periudhën 1999-2002. Por jo vetëm kaq, Bantel vuri në dukje se edhe nëse ndaj Platinisë do të bien akuzat për korrupsion, ai do të dënohet për konflikt interesi, keqadministrim dhe falsifikim të bilanceve.