Bajerni i Mynihut e mbylli 2015-n në “Allianz Arena” me fitore. Bavarezët triumfuan 2-0 në ndeshjen e fundit në shtëpi për këtë vit ndaj Ingolstadit që rezistoi mirë për 65 minuta duke nxjerrë jashtë lojës së tyre dhe ekipin e Guardiolës, por në fund klasi i lojtarëve vendas dhe përvoja e tyre bëri që kampionët e Gjermanisë të merrnin 3 pikët e radhës.

Robert Lewandowski ishte ai që zhbllokoi sfidën për bavarezët në minutën e 65-të. Ndërsa golin e fundit për këtë vit në Allianz Arena e realizoi kapiteni Filip Lahm që arriti të mposhtë për herë të dytë pas një aksioni skuadre portierin mik Ozcan.Wolfsburg nuk arriti të shfrytëzojë faktorin fushë duke barazuar 1-1 në shtëpi me Hamburgun, që në fakt ishte dhe rezultati më i drejtë për atë që ekipet dhuruan në fushë. Hamburgu pati meritën se arriti të kalojë në epërsi në pjesën e parë me golin e Muller, ndërsa në të 76-n, Arnold barazoi për Wolfsburgun.