Skënderbeu akuzohet sërish për paracaktim të rezultatit të ndeshjes në fazën e grupeve të Ligës së Europës. “Re të zeza” vijojnë të qarkullojnë mbi kokën e kampionëve të Shqipërisë, të cilët, për një minutë pësuan dy gola, në fundin e sfidës së kësaj të enjteje në “Elbasan Arena”, kundër Lokomotivës së Moskës. Është kompania e monitorimit, lëvizjes së koeficientëve dhe hetimit të ndeshjeve të futbollit, “Federbet”, e kontraktuar nga UEFA, ajo që ka përmendur sërish emrin e Skënderbeut në relacionin publik të ditës së djeshme.

Për herë të katërt, kompania e njohur ka lëshuar raportin e radhës, ku ngre dyshime për trukimin e ndeshjes Skënderbeu-Lokomotiva e Moskës 0-3. Për tifozët, ajo që tërhoqi vëmendjen nuk ishte aq humbja e thellë, por mënyra se si dhe kur erdhi. Në qendër të hetimit të “Federbet” këtë herë janë vënë golat e shënuar nga rusët në minutat e fundit. Sipas kompanisë në fjalë, janë vënë re luhatje të mëdha në koeficientët e ndeshjes pas minutës së 77-të.

“Skënderbeu godet sërish. Për të katërtën herë brenda këtij sezoni, skuadra shqiptare sërish protagoniste e dyshuar për manipulimin e ndeshjes. Në minutën e 77-të, koefiçenti që do të kishte edhe dy gola ishte 1.75, teksa duheshin edhe pak minuta nga përfundimi i ndeshjes. Për më tepër, në minutën e 87-të, kur ndeshja vazhdonte të ishte 0-1, koeficienti që do të kishte edhe një tjetër gol ishte 1.6, duke ngritur dyshimet në lidhje me këtë çështje, pasi duheshin edhe vetëm 3 minuta për të përfunduar loja. Ne denoncojmë për të katërtën herë në këtë edicion ekipin e Skënderbeut, pasi dyshojmë se ka bërë ndeshje të trukuara”, mbyllej deklarata e “Federbet”, përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Francesco Baranca.

Kompania i mbështet dyshimet e saj në dy golat e fundit, që Skënderbeu pësoi në minutën e 89-të dhe dhe 90-të. Më pare, këtë edicion të Kupave të Europës, Skënderbeu është akuzuar përmes raporteve të “Federbet” edhe për ndeshjen e kthimit ndaj Crusaders, Dinamos së Zagrebit dhe për Sportingun e Lisbonës. Drejtuesit e ekipit korçar, ashtu si në rastin e tri raporteve të para, i kanë hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si të pabazuara në prova dhe fakte. Madje, herën e fundit, Takaj kërcënoi kompaninë se do të përfundonin në gjyq.

Ja cili është reagimi i presidentit të kuqebardhëve, Ardian Takaj, pas këtij raporti të fundit të “Federbet”: “Kam të njëjtin qëndrim si më parë për këto thashetheme, nuk kam çfarë të shtoj më tepër. Ajo kompani bën raporte për 20 ndeshje në ditë dhe të gjitha i trajton si të dyshuara për trukim. Por, le të guxojë të thotë hapur se Skënderbeu ka trukuar qoftë edhe një ndeshje dhe do të përballet ligjërisht me ne”. “Federbet” nuk ka akuzë vetëm për rezultatin e ndeshjes Skënderbeu-Lokomotiva e Moskës 0-3, por shtonte se gjatë pjesëmarrjes në Kupat e Europës, Liga e Kampioneve dhe Liga e Europës, skuadra korçare ka luajtur në mënyrë të dyshimtë edhe ndeshjet Crusaders-Skënderbeu 3-2, Dinamo Zagreb-Skënderbeu 4-1 dhe Sporting Lisbonë-Skënderbeu 5-1.