Ekipi i Skënderbeut, i cili luante dje ndeshjen e fundit në Europa League përballë Lokomotivës së Moskës, u mund 0-3. Gjithsesi korçarët luanin sa për statistikë pasi matematikisht ishin të eliminuar, një eliminim që gjithsesi nuk mërziti askënd, pasi arritja deri në fazën e grupeve ishte historike jo vetëm për Skënderbeun, por për futbollin shqiptar në tërësi. Por, rezultati i humbjes ka ngritur hijet e dyshimit për një trukim të mundshëm, më tepër se sa te shifrat, dyshimet lidhen me mënyrën se si dhe kur u pësuan dy golat e fundit.

Korçarët pësuan dy gola të lehtë në fund të ndeshjes, në minutat 89’ dhe 91’. Gjithçka mund të ndodhë në futboll, por nëse shohim golat dyshimet përforcohen edhe më tej. Në zonën e Skënderbeut mbërrin një kros i gjatë nga mbrojtja e miqve, dhe Jashanica, dukshëm i avancuar nga sulmuesi i Lokomotivës Naisse, nuk largon topin, por e humbet kontrollin e tij. Mjaft e lehtë për senegalezin e ekipit rus për ta shtyrë topin në rrjetë. Vetëm 2 minuta më vonë, lojtari Semedov, i merr një top brenda zonës së Skënderbeut, ku nuk shqetësohet thuajse fare nga mbrojtësit duke shënuar me lehtësi golin e tretë. Por, nuk mbaron me kaq.
Dyshimet përforcohen edhe më tej nga një mesazh dërguar nga një qytetar te faqja "Jeta Osh Qef".Ishte minuta e 78’ e ndeshjes dhe ai shkruante se ndeshja do të kishte me siguri edhe dy gola të tjerë, dhe ashtu ndodhi. Rastësi apo informacion i saktë? Këtë nuk mund ta themi me siguri, por ndeshjet e Skënderbeut këtë sezon janë përfolur së tepërmi.