Skuadra e Teutës do të përballet kundër Laçit ditën e shtunë, në një sfidë që mund të vendosë dhe fatet e sezonit për dy skuadra që duan titullin kampion. Sa i takon ecurisë, Teuta është disi më e favorizuar.

Djemtë e Edi Martinit kanë plot 9 sfida radhazi që nuk njohin humbje dhe do të synojnë të shkojnë në kuotën e 10 të tillave dhe ndaj kurbinasve. Por, që të kesh një ecuri kaq të mirë, normalisht duhen parë dhe lojtarët që kanë sakrifikuar për të marrë këto rezultate.

Teuta nuk vuan për karakter në ekip, e as për lojtar lider e me peshë. Pa diskutim, kapiteni Arapi është i pari prej tyre, por dhe emra si Hoxha e Emiljano Vila kanë treguar vlera dhe shpirt gare këtë sezon.

Ndërsa Dejvi Bregu, shpeshherë ka dhuruar magjitë e tij në fushë, që i kanë dhënë dhe rezultatet ekipit durrsak. Sa të rëndësishëm janë këta lojtarë, e tregojnë dhe statistikat.Formacioni titullar i Teutës, nuk ka ndryshuar shumë dhe 11 luftëtarët e Martinit, kanë marrë mbi 1000 minuta në këmbët e tyre.

Portieri Frashëri dhe Emiljano Vila janë në krye me nga 2250 minuta, ndërsa ndiqen nga: Arapi, Bregu, Hoxha, Aleksi, Todorovski, Kuro, Krasniqi, Lorenco Vila dhe Avdyli. Këta futbollistë, kanë marrë ngarkesën më të madhe të sezonit për Teutën, që deri më tani, po rezulton mjaft i mirë.