Teuta do të presë të enjten në “Niko Dovana” skuadrën e Inter d’Eskaldes të Andorrës, për turin e dytë të Ligës së Konferencës. Ekipi i Edi Martinit e nis si favorit këtë duel përballë skuadrës e cila u mund në turin paraeliminator të Ligës së Kampioneve nga skuadra e Prishtinës.
Por pikërisht eksperienca në paraeliminatoret e Ligës së Kampioneve sjell kujtime të bukura për klubin nga Andorra, i cili në stadiumin e skuadrës durrsake, ka arritur një rezultat historik për të.
Miniturneu paraeliminator u zhvillua në vendin tonë dhe në “Niko Dovana”, Inter d’Eskaldes mundi Folgore të San Marinos me rezultatin 2-0. Një sukses të cilin mbrojtësi spanjoll i kësaj skuadre, Ivan De Nova, e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm për klubin i cili tashmë po përgatitet për një përballej dinjitoze edhe me Teutën.
“Ai është një stadium special për ne, pasi aty kemi arritur një fitore në Ligën e Kampioneve. Do të jetë speciale të kthehemi aty.Grupi është në gjendje të mirë, po përgatitemi fizikisht mirë. Tani që e dimë edhe cilin rival do të kemi përballë, po përgatitim ndeshjen edhe në aspektin taktik.
Është një ekip i fortë, një ekip i mirë fizikisht”, u shpreh ai për faqen e klubit, duke qenë i ndërgjegjshëm gjithsesi se përballë ekipit shqiptar nuk do të ishte aspak e lehtë.