TIRANE, 09 mars 2013 – Një javë më parë, Sokol Nano së bashku me bashkëshorten, depozituan në Gjykatën e Tiranës kërkesën për zgjidhje martese. Lajmi i ndarjes së djalit të vetëm të ish-kryeministrit socialist, Fatos Nano, ngjalli shumë kuriozitet, teksa u zbulua nga gazeta “Panorama” fundjavën e kaluar. Sokol Nano, 34 vjeç, kishte rreth 10 vite që bashkëjetonte me vajzën e dy mjekëve, Arlinda Budo, 32 vjeçe dhe vetëm një vit martesë.
Kërkesa e zgjidhjes së martesës që u kërkua nga të dy në mënyrë konsensuale, u paraqit në Gjykatën e Tiranës më 28 shkurt 2013 dhe tashmë pritet të finalizohet në një seancë gjyqësore, e shoqëruar edhe nga vendimi për ndarjen e pasurisë mes çiftit (edhe kjo do të zgjidhet me pëlqimin e të dyja palëve). Natyrisht kjo mund të ndodhë vetëm nëse çifti nuk do ndërrojë mendje për t’u bashkuar sërish.
Por duke investiguar më thellë mbi këtë ngjarje, duket se ky ribashkim nuk ka gjasa të ndodhë, pasi prej muajsh tashmë Sokol Nano ka krijuar një lidhje të re me një vajzë brune, 24 vjeçe, që quhet Ananda dhe ka mbaruar studimet e larta për Psikologji. Në profilin e saj në facebook, fotot me Sokolin ka kohë që janë aty, gjë që tregon se ata tashmë kanë një lidhje të konsoliduar dhe nuk e fshehin më.
Edhe frekuentuesit e pubit të Sokolit, rrëfejnë se ata të dy rrinë bashkë pa e pasur problem që t’u fshihen njerëzve. Kjo tregon se martesa e Sokolit me Arlindën ka kohë që ekziston vetëm në letra, pra ligjërisht, pasi faktikisht ajo ka kohë që ka marrë fund.