TIRANE – Erleta Ukshin Hoti, si ish-bashkëpunëtore e imja, të lutem më lër rehat në jetën time, që më flet lart e poshtë për përgjegjësitë e mia. Unë jam i gatshëm për çdo gjë ndaj vajzës sime, por ti nuk më lejon ta shoh e ta prek. Erdhi momenti të flas. E do flas shumë…”. Ka qenë ky, statusi i kantautorit Kastro Zizo, që na kuriozoi për të mësuar më shumë rreth marrëdhënies së tij me Erletën, vajzën simpatike nga Kosova, nga lidhja me të cilën ka edhe një fëmijë. Kërshërisë sonë për të mësuar diçka më shumë, Kastro iu përgjigj dashamirësisht, duke na besuar kështu këtë rrëfim të parë për divorcin…
Lexova në ‘Facebook’ që ke vendosur më në fund të flasësh për ndarjen nga Erleta. Pse tani?
Në fakt ende nuk dua të flas, se femrat bëjnë llafe, por nëse më duhet të them diçka, atëherë them që tani ishte momenti, se durova shumë pas blasfemisë dhe vrerit që ajo hodhi për mua.
Pse u ndatë ju?
S’e di as unë pse u ndamë. Di që bëmë mirë që u ndamë…
Ndikoi emisioni i Arian Çanit?
Ishte thjesht një shkëndijë ai emision.
Pse ike aq shpejt pas lindjes së vajzës? Nuk mund të duroje edhe pak?
Unë nuk kam ikur në asnjë moment. Unë jam përzënë në mënyrën më bastarde të mundshme. Unë jam trajtuar si një qen i marrë në rrugë…
A je bërë pishman pas rikthimit në Tiranë?
Asnjëherë. Tirana është qyteti im. Këtu kam gjithçka, përfshi dhe femrat më të bukura në botë.
E ke tentuar apo menduar ndonjëherë ribashkimin?
Jo.
Hera-herës shoh që bëheni miq në ‘Facebook’ me Erletën. Ti i poston asaj zemra në mur; çfarë pastaj ndodh që ziheni prapë?
S’e di për këtë gjë. Mbase i bën ajo vetë, meqë më kontrollon në çdo hap që unë bëj në jetë. Mundësisht edhe sa kafe e birra pi në Tiranë, se në cilin bar jam ulur dhe me sa femra jam rrethuar. Ajo ka dhe password-in e ‘Facebook’-ut, kështu që i krijon vetë këto etyde të dëshpëruara.
Sa kohë ke pa e parë vajzën?
Kam disa muaj… Nuk kam si ta shoh, se është e vogël, e mitur ende. Dhe në rrugë nuk mundem, aq më tepër në atë klimë që rrethon Prishtinën, përveç faktit që nuk ma lejon njeri që ta shoh. Nuk e mendojnë që jeta s’është për ca ditë. Nuk kuptojnë që vajza do rritet dhe do më kërkojë shumë…
Në një intervistë të para disa muajve, Erleta e ka arsyetuar kështu faktin pse nuk ju lë ta shihni vajzën: Një baba që vjedh dhe vajzën e tij njëmuajshe (kursimet qe kishte mbledhur ajo – Erleta – për të voglën), nuk do të ketë vend në jetën e saj, deri sa këtë ta vendosë sistemi gjyqësor. Ç’mund të thuash për këtë?
Unë nuk mund të komentoj për njerëz që kanë probleme të mëdha psikike.
Do ta çosh në gjyq këtë çështje?
Jo, s’ka asgjë për gjyq. Ajo le të bëjë ç’të dojë, nga ana ime është e mirëpritur për çdo gjë.
Po me gruan e parë, si i ke marrëdhëniet?
I kam shumë mirë… Në një farë mënyre unë e rrita atë, ose më saktë ne rritëm njëri-tjetrin. Është totalisht tjetër situatë.
Takohesh me djalin, çfarë të thotë ai?
Takohem shumë shpesh. Ai tashmë është një burrik i vogël. E dua shumë. Ai është kopja ime në psikologji dhe pamje, por nuk do doja që të bënte disa prej gabimeve që kam bërë unë në jetë.
Ç’mendon sot për martesën?
Mendoj se së shpejti do martohem prapë.
Në emisionin “Zonë e Lirë”, ke deklaruar së fundmi se po të dije të kërkoje falje, do ishe akoma me gruan e parë; është vërtet kështu? Mbase… Por, nuk do doja të isha as me të parën, as me të dytën, dua totalisht tjetër gjë në jetë tashmë.
A ka ndonjë femër tjetër në jetën tendë? Ke filluar një lidhje të re?
Jo, nuk kam filluar… Shumë femra kanë filluar me mua diçka.
Të ka frymëzuar për ndonjë këngë të re, dështimi i dytë në martesë?
Unë nuk kam dështuar në asnjë martesë. Thjesht mua nuk kanë ditur të më mbajnë.
/Gazeta Shqiptare, Suplementi Bluetooth/