AFRIKE E JUGUT, 19 shkurt 2013– Atleti olimpik i Afrikës së Jugut, Oscar Pistorius, thotë se "nuk kishte ndërmend të vriste" të dashurën e tij, Reeva Steenkamp. Deklarata nën betim e Pistorius u lexua sot në një gjykatë të Pretorias, pak pasi prokurorët paraqitën akuzat për vrasje me paramendim. Seanca e sotme u mbyll pa një vendim lidhur me kërkesën për lirimin e tij me kusht.
Në deklaratë, Oscar Pistorius tha se mendonte se ishte duke shtënë kundër një hajduti, kur përdori armën përtej një dere banjoje në shtëpinë e tij në Pretoria. Ai tha se ishte "thellësisht në dashuri" me Reeva Steenkamp dhe se ishte jashtëzakonisht i trishtuar për vdekjen e saj.
Avokatët mbrojtës argumentuan se të shtënat ishin një aksident, dhe kërkuan që ai të lirohej me kusht, por seanca e sotme u mbyll pa një vendim lidhur me këtë kërkesë.
Prokurorët thanë se Pistorius kishte vendosur këmbët e tij protezë, kishte ecur shtatë metra brenda dhomës së tij dhe kishte qëlluar katër herë përtej një dere banjoje të mbyllur.
Një gjykatës tha gjatë seancës së sotme se vrasja me paramendim nuk mund të përjashtohet, por shtoi se akuzat mund të reduktohen më vonë. Në rastet e shpalljes fajtor për vrasje me paramendim parashikohet edhe dënimi me burgim të përjetshëm, dhe Pistorius nuk arriti të mbante lotët ndërsa gjyqtari njoftoi vendimin e tij.
Ndërkohë, familjarët dhe të afërmit e modeles Reeva Steenkamp u mblodhën sot për një ceremoni përkujtimore private.





