SHBA, 15 shkurt 2013– Aktorja e njohur, Thandie Newton, ka treguar se një regjisor ka abuzuar seksualisht me të kur ishte adoleshente, madje abuzimi është realizuar në sheshxhirimin e filmit.

Newton, tani nënë e dy fëmijëve dhe e martuar me producentin e filmave, Oliver Parker, tha se më vonë zbuloi se regjisori që abuzoi seksualisht me të, e kishte shpërndarë videon tek njerëzit e tjerë në botën e showbiz-it.

Aktorja Newton u bë e njohur kur interpretoi përkrah Tom Cruise në filmin Mission Impossible II. Ajo ka vendosur të tregojë këtë episod të rëndë nga adoleshenca e saj në kuadër të fushatës “Një miliard që ngrihen”, kundër dhunës ndaj grave.

Duke folur për gazetarin e CNN, Max Foster, ajo tha se kishin abuzuar me të që kur ishte 16 vjeç. Newton tregoi se regjisori e thirri në një dhomë dhe i tha të hapte këmbët. Më pas i vendosi një kamera mes tyre dhe nisi të xhironte. Por megjithëse rrëfeu këtë moment të vështirë ajo nuk pranoi të tregonte emrin e regjisorit, pasi ai ende është aktiv në Hollivud.