VATIKAN, 11 shkurt 2013– Paraditen e sotme papa Benedikti i XVI-të dha dorëheqjen dhe komunikoi se do të largohet nga papati më 28 shkurt. Lajmi bëri xhiron e botës në pak orë dhe pushtoi faqet e para të agjensive të lajmeve, faqeve online të gazetave dhe rrjeteve sociale Facebook e Twitter.

Por ndërsa shumë flasin për dorëheqjen e papritur të atit të shenjtë dhe precedentin e krijuar prej tij në gjithë këto shekuj të historisë së kishës katolike, në internet nuk kanë munguar edhe batutat, fotot dhe karikaturat ironike. Sidomos në Itali fenomeni ka qenë më i përhapur nisur kjo edhe nga fushata e ndezur elektorale.

Frazat më të shpeshta të hasura në internet ishin:

-“Do të jetë Berluskoni pasardhësi i Papës?

-“Berluskoni heq dorë nga kandidatura në zgjedhjet e 2013 dhe kandidon për postin e Papës”.

Madje ironikët kanë menduar edhe emrin për Berluskonin si at të shenjtë: “Pio Tutto”.

Ndërkohë shumë të tjerë kanë ironizuar me premtimet e dhëna gjatë fushatës nga ish kryeministri italian: “Ja një nga 4 milion postet e premtuara nga Berluskoni!”; “Do t’ju kthej Papën” etj.

Në Youtube ndërkohë, në një kolazh gazmor ku janë përfshirë një fjalim i Benediktit të XVI-të dhe një intervistë në televizion e Kavalierit, “shpjegohen” arsyet e vërteta të dorëheqjes së Ratzinger. Videon gazmore mund ta shihni në galerinë tonë të videove. 

(m.b./AGJENSIA E LAJMEVE "DYRRAH")