TIRANE – Hermes Nikaj, i njohur si Zogu i Tiranës, emër që e mori gjatë eksperiencës së tij të punës në “Aldo Morning Show” në “Tv Klan”, një program i Aldon Lipes, i është drejtuar pak ditë më parë Bashkisë së Tiranës për të aplikuar për punë. Pas premtimit publik që i bëri direkt në emisionin “Zonë e Lirë” kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, Hermesi ka nisur procedurat e aplikimit. Zogu i Tiranës, i cili pas largimit nga “Aldo Morning Show” kishte mbetur pa punë, e theksoi këtë fakt edhe te “Zonë e Lirë” e Arian Çanit, program ku ishte i ftuar për të disatën herë dhe ku ka theksuar dhe dëshirën e tij për t’iu rikthyer televizionit e pikërisht programit të Aldos, ku u bë i njohur. Por pas konfirmimit përfundimtar që Aldo i bëri Arian Çanit në një lidhje telefonike direkt në emision, Zogu kërkoi t’i hedhë diku tjetër sytë për punë. Kështu, i pranishëm në emisionin e së premtes së kaluar në “Zonë e Lirë”, Hermesit iu bë një ofertë publike nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, për të qenë pjesë e stafit të punonjësve pranë këtij institucioni. Ndërkaq, kemi kontaktuar me 22-vjeçarin, i cili ka treguar për “Panorama Plus” se të nesërmen i është drejtuar Bashkisë së Tiranës dhe ka plotësuar një formular takimi me Bashën, bashkëngjitur dhe me një CV të tijën.

Hermes, ke marrë një premtim publik për punë në Bashki nga kryetari i saj, Lulzim Basha. Si u ndjeve?

Ndihem vërtet i lumtur dhe i privilegjuar që do mund t’i shërbej një institucioni kaq me vlerë, siç është Bashkia e Tiranës. Dua të më uroni fat.

Atëherë çfarë ndodhi pas programit “Zonë e Lirë”, kërkove ta takosh personalisht Lulzim Bashën?

Pas mbylljes së programit “Zonë e Lirë” bisedova me Çanin dhe ai më orientoi që t’i drejtohesha Bashkisë të nesërmen për aplikim, pasi Basha, më tha Çani, “të bëri një premtim publikisht, ndaj s’duhet të prisja”.

Kë takove në Bashki dhe kur e pret përgjigjen për punë?

Në Bashki takova punonjësen e Marrëdhënieve me Publikun, e cila më komunikoi që për 10 ditë do të më kthejnë një përgjigje definitive për punë.

Për në çfarë pozicioni punë aplikove dhe cili do të ishte pozicioni i punës në Bashki që ti do dëshiroje?

Si fillim aplikova për një takim me kryetarin Basha, ndërsa posti që do të doja në Bashki është ai i zëdhënësit të Bashës.

Çfarë kërkohej në formularin e aplikimit që plotësove pikërisht për këtë pozicion?

Kërkoheshin eksperiencat e mia të punës së mëparshme, gjuhët e huaja që zotëroja e kritere të tilla.

Të njohim më shumë si model, cilat janë studimet e tua?

Unë këtë vit diplomohem për Gjuhë të Huaja dhe më pas dua të ndjek një master për Gazetari. Them kështu, pasi e kam pasion gazetarinë dhe synoj të depërtoj në media dhe shpresoj t’i rikthehem sërish programit të mëngjesit në “Tv Klan” “Aldo Morning Show”, në të cilin mungoj prej pak muajsh.

Je një demokrat në bindjet e tua politike, apo s’je fare i përfshirë në politikë?

Tashme të gjithë e dinë që bindjet e mia politike janë të djathta.

Dhe cili është politikani që ke idhull?

Idhulli im është pikërisht Kryeministri Sali Berisha.

Ndërkaq, me çfarë je marrë këto kohë që ke munguar në programin e mëngjesit në “Tv Klan”?

Së fundmi jam marrë me pasionin e modës prej katër vitesh, pasi kam qenë pjesëmarrës në eventin “Java e Modës”, një spektakël i zhvilluar në ambientet e TEG, duke sfiluar për veshjet e ndryshme të sezonit dimëror e duke u bërë pjesë e katalogëve përkatës.

Burimi: http://www.panorama.com.al/2013/02/09/pretendoj-postin-e-zedhenesit-ne-bashki-basha-me-kerkoi-vete/#ixzz2KWy8w5gi