Intervistoi Mila Ballhysa

Një grua e fortë dhe një menaxhere e zonja, të cilës kryeministri Edi Rama i besoi në këto zgjedhje kryesimin e listës së kandidatëve për deputetë të qarkut Durrës.

Megjithë angazhimet si Ministre e Bujqësisë, Milva Ekonomi është e kudondodhur, si pranë bizneseve agropërpunuese dhe fermerëve ashtu edhe pranë strukturave të PS-së në Krujë dhe Durrës.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, ministrja Ekonomi ndalet në shumë aspekte të fushatës elektorale, në objektivat e PS-së në qarkun Durrës, por dhe në sfidat e rindërtimit dhe pandemisë dhe pasojat që këto dy fatkeqësi natyrore kanë shkaktuar në qytetin bregdetar.

“Ka qenë gjithnjë një listë kompakte, ne gjithnjë kemi qenë të koordinuar me njëri-tjetrin, kemi mbështetur gjithnjë njeri-tjetrin për të përçuar në komunitet programin e partisë”,– thotë Milva Ekonomi lidhur me listën e kandidatëve me të cilën PS kërkon votën e elektoratit në Durrës, Shijak, Krujë e Fushë Krujë.

Publikimi i emrave të listës së kandidatëve të PS-së për Durrësin u shoqërua me akuzat e përsëritura të opozitës për disa nga figurat kryesore që kërkojnë mandatin e dytë si Jurgis Çyrbja, Ilir Ndraxhi apo Rrahman Rraja.

Për ministren Ekonomi, lista e PS-së për qarkun Durrës është e mirëstudiuar dhe respekton më së miri kuotën gjinore me gra dhe vajza me integritet dhe profesioniste të mira. Ndërsa përsa i përket emrave të kontestuar, Ekonomi shprehet se “komunitete të caktuara kërkojnë të përfaqësohen nga individë të caktuar dhe kjo është vënë re nga sasia e votave që mbledhin këta përfaqësues”.

Por njëkohësisht, ministrja thekson se kryefjala e Reformës në Drejtësi është fakti që akuzat që ngrihen mbi një person të caktuar duhet të verifikohen dhe kur ato provohen, individi duhet të dënohet.

“Lista e PS-së zgjedh me shumë kujdes ata që do të jenë pjesë e saj”,– shton Ekonomi.  

Duke u ndalur tek sfidat e pasojave që la pas tërmeti i 26 nëntorit 2019, ministrja Ekonomi thotë se “Rindërtimi po ecën me ritme të shpejta. Besoj, se në këto kushte, të ndikuara edhe nga pandemia, çdo durrsak racional e kupton se rindërtimi është kryefjala. Rindërtimi nuk është vetëm ta themi si fjalë, por po i rrimë mbi krye, çdo ditë ndiqen punimet që po realizohen.”

Në të njëjtën kohë, kryesuesja e listës së Durrësit dhe deputetja që synon mandatin e tretë radhazi në këtë qark nënvizon se një punë shumë e mirë është bërë me ndërtesat me dëme DS1-DS3 si dhe me ndërtimin e shkollave, kopshteve, objekteve komunitare etj.

Kostoja 8-vjeçare e konsumimit politik në qeverisje dhe 20-vjeçare në qeverisjen lokale duket se nuk e tremb ministren Ekonomi më 25 prill. Madje as sondazhi më i fundit, që e nxorri PD-në në përqindje votash më lart sesa PS në Durrës. Sipas saj, objektivi i shpallur nga Rama më 8 mars është i arritshëm. PS-ja kërkon të përsërisë rezultatin e vitit 2017 edhe në këto zgjedhje.

Por cilat janë arsyet që votuesit e qarkut Durrës dhe veçanërisht ata të qytetit bregdetar duhet t’i besojnë PS-së edhe një mandat tjetër 4-vjeçar?

Ministrja ndalet në disa investime të rëndësishme.

Përveç atyre që kanë të bëjnë me rindërtimin, Ekonomi përmend projektin për portin nga kompania e njohur EMAAR, investimin e BERZH në hekurudhën me shpejtësi të lartë që do të lidhë Durrësin me Tiranën dhe Rinasin, zbulimin e amfiteatrit dhe rivitalizimin e trashëgimisë kulturore, por edhe furnizimin me ujë 24 orë në ditë të qytetit apo përmirësimin e rrjetit elektrik.  

“Durrësi do të transformohet në një pikë shumë të rëndësishme ekonomike të vendit”,– thotë Ekonomi.

“E ardhmja është me punë, përveçse është një ardhme me mirëqënie. Do ketë më shumë punë për të rinjtë durrsakë, do ketë më shumë punë dhe mirëqënie për familjet durrsake”’– shton më tej kryesuesja e listës së kandidatëve për qarkun Durrës.