TURQI– Aktorja e njohur nga serialet “Jetë e hidhur” dhe “1001 net”, Bergüzar Korel, ditë më parë ka pësuar aksident me makinën e saj afër vend pushimit të njohur si Datca, ku kishte shkuar për të vizituar të ëmën e saj. Aktores së njohur i është dashur të kërkojë ndihmë nga shërbimet për të vazhduar më tej udhëtimin që të shohë të ëmën.
E lindur më 1982-shin, ajo kaloi fëmijërinë në qytezën Ulus duke ndjekur kolegjin “Yildiz” dhe më vonë studimet në Universitetin Mimar Sinan. Korel ka bërë debutimin e parë në rolin e Lejlës në serialin “Lugina e ujqërve Irak”. Në vëmendjen e publikut ka ardhur pas pjesëmarrjes në rolin e Shehrazades, serial që pushtoi jo vetëm Turqinë, por edhe vendet europiane e lindore. Gjatë një rrëfimi për mediat turke, Berguzar ka deklaruar se ka pasur një fëmijëri të lumtur, edhe përkundër faktit se i ati ka qenë shumë i rreptë.
“Xhelozia e tij ishte pikërisht te meshkujt të cilët më ngacmonin rrugës. Sapo ai dëgjonte se unë isha në ndonjë pub për t’u argëtuar, menjëherë binte në depresion. Madje dhe i dashuri që kam pasur në moshën 20-vjeçare, kur më sillte në shtëpi pas argëtimit, kishte problem me babain tim. Njëherë ka ndodhur që babai im e ka mbajtur të dashurin tim mbyllur në një kasolle deri në mëngjes. E gjithë kjo ka ndodhur gjatë kohës kur ne kemi jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atje nuk isha në gjendje të përshtatesha me mjedisin. Jam përpjekur disa herë të futem në muzikë, por më janë vendosur disa pengesa përpara dhe nuk ndihesha shumë rehat”,- ka theksuar Korel.