Danilo D’Ambrozio ishte i pari që riktheu alarmin COVID-19 te Inter. Mbrojtësi ndjeu ethe dhe temperaturë, ndërsa tamponi konfirmoi infektimin e italianit me virusin e rrezikshëm. Ndërkaq, shpresat ishin që virusi të mos ishte shpërndarë në ekip, por tashmë duket se ka ndodhur e kundërta. Në mbrëmjen e djeshme, klubi nga Milano konfirmoi pozitiv edhe portierin Samir Handanoviç, ndërsa ditën e sotme, rastet janë shtrirë edhe te Stefan De Vraj e po ashtu edhe Matias Vesino.
Kështu, katër lojtarë që nuk do të jenë të gatshëm për trajnerin Antonio Konte në ditën e shtunë kur luhet takimi kundër Sasuolos. Megjithatë, xhiro e tamponëve në ekip do të vazhdojë pasi mund të ketë të tjerë të infektuar, ndërsa nga ana tjetër ka edhe një skenar që mund të jetë pezullimi i sfidës së kësaj jave të zikaltërve.
Kjo për shkak se autoritet mund të ndalojnë ekipin të stërvitet në mënyrë që rastet të mos përhapen në ekip. Për momentin vendime nuk ka, por të gjithë skenarët janë të mundshëm. COVID-19 duket se po prish atmosferën pozitive që kishte Inter për të gjithë rezultatet pozitive të javëve të fundit.





