Edi Martini, trajneri i Teutës, e ka cilësuar si të merituar kualifikimin e ekipit të tij në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Tekniku i durrsakëve, theksoi pas ndeshjes se skuadra e kishte treguar se e meritonte një vend në katërshe.

“E kam thënë që këta djem kanë treguar që nëse rrëzohen, kanë forcë të ngrihen në këmbë. Nuk ndalen gjatë ndeshjes, kanë këmbëngulje, kanë marrë një rezultat shumë të mirë dhe jam shumë i lumtur për ta.Sot na takon të gëzohemi pak, por jo të mendojmë gjysmëfinalet. Kemi një ndeshje me Partizanin dhe Kupa për momentin është diçka që nuk dua të flas fare.Këto janë ndeshje që janë shumë të rrezikshme, mjafton të bësh një gabim dhe nuk e gjen vetën. Janë ndeshje me një takim dhe të jesh i kujdesshëm, do të doja të shënonim edhe të dytin e të ishim të qetë, por duke pasur parasysh se përballë kishim Kukësin me shumë emra, jam i kënaqur me kualifikimin.Sa më të rëndësishme të jenë ndeshjet, aq më karakter e grintë ka ekipi. Nuk dua t’i kthehem asaj sfide me Kastriotin, por ky ekip ka grintë dhe dua t’i përgëzoj se kanë sakrifikuar shumë dhe vazhdojnë të luajnë në nivele të larta.Kemi pësuar gola kur nuk duhej, djemtë ishin më të vendosur sot, më me grinte e karakter, është edhe çështje fati se me raste topi shkon ku nuk e mendon. Por djemtë vunë shpirtin në fushë, ishim të qetë, nuk deshëm të rrezikonim dhe e patë që Kukësi përveç qarkullimit të topit nuk na vuri në vështirësi, dua t’i përgëzoj djemtë pasi bënë ndeshje me sakrifice e duhet të komplimentohen”, tha Martini.