Skuadra e drejtuar nga Edi Martini iu fal një goli të Emiliano Vilës në minutën e 10’ të takimit dhe nxori verilindorët nga Kupa e Shqipërisë, por njëkohësisht u kompliki atyre edhe rrugën për një vend në zonën europiane.

Durrsakët e nisën vrullshëm ndeshjen dhe gjetën golin e avantazhit që në minutën e 10’, kur pas një krosimi të Todorovskit, ishte “veterani” Emiliano Vila që kërceu e gjuajti saktë me kokë, duke dërguar topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga Xhika.Kukësi vijon ta marrë lehtë ndeshjen dhe Teuta i shkon pranë golit të dytë edhe me Bregun, por gjuajtja e tij shkoi jashtë, ndërsa më pas Krasniqi pati një tjetër mundësi shënimi, por nuk konkretizoi si duhet.

Rasti i parë për shënim për verilindorët e drejtuar nga Mirel Josa, u regjistrua në minutën e 33-të, kur Baravikas testoi aftësitë e Frashërit, ndërsa në fundin e pjesës së parë ishte sërish portieri i Teutës, që i mohoi një gol të sigurt sulmuesit të Kukësit, Patrick Eze.

Pjesa e dytë ishte me një ritëm më të ulët, kjo për meritë edhe të durrsakëve, që kërkonin të mbronin me çdo kusht avantazhin, ndërsa rastin më të mirë për të barazuar e pati sërish Eze në minutën e 57’, por goditja e tij përfundoi jashtë.Në minutën e 90’ Teuta pati mundësinë të mbyllë llogaritë, pas një kombinimi të bukur në sulm, por as Bregu dhe as Plaku nuk arritën të dërgojnë topin në rrjetë.

Nga ana tjetër Kukësi provoi edhe në shtesë me Eze, por gjuajtja e tij përfundoi jashtë dhe vërshëllima finale e arbitrit la në fuqi fitoren 1-0 të durrsakëve.Komplikohet plotësisht objektivi për një vend në zonën europiane për Kukësin, që i jep lamtumirën Kupës, por në të njëjtën kohë e sheh veten 10 pikë larg vendit të katërt në renditje, kur kanë mbetur edhe 12 ndeshje deri në fund.