Qendra e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes shfaq sot dokumentarin “Skënderbeu”, në kuadër të 545 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar.

Në dokumentarin e regjisorit Vladimir Prifti janë aktorët Sokol Angjeli, Roza Anagnosti dhe Fatos Sela, por dhe historianët Luan Malltezi, Pëllumb Xhufi, Pranvera Bogdani dhe Moikom Zeqo, njofton BW.

Pjesa e parë “Principata e Kastriotëve” përfshin origjinën e Kastriotëve, rininë e Skënderbeut, të atin e tij e deri në rrethimin e Krujës, ndërsa pjesa e dytë “Shteti dhe Simbolet” trajton krijimin e shtetit të pavarur të Skënderbeut. Subjekti është mbështetur në veprën e Kristo Frashërit “Skëndërbeu”, ndërkohë që xhirimet janë bërë në Krujë, por edhe jashtë Shqipërisë.

Qëllimi i këtij aktiviteti është prezantimi i figurës historike të heroit tonë kombëtar si shtetar e ushtarak dhe rëndësia e periudhës së Skënderbeut në historinë moderne të shtetit shqiptar.

Në janar të vitit 1468 Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë. Ai vdiq më 17 janar 1468 në Lezhë.