TIRANE– Mbi 16 mijë artifakte të fondit të Muzeut Arkeologjik në Tiranë ndodhen në bodrumin e godinës të Qendrës Studimore Albanologjike të mbytura nga lagështira dhe kushtet aspak të përshtatshme për të ruajtur këto objekte të trashëgimisë arkeologjike. Që nga sot një projekt me vlerë prej 103 mijë dollarësh nga fondi i ambasadorit amerikan për trashëgiminë, do të mundësojë rikonstruksionin në tërësi të hapësirës ku ruhen këto objekte arkeologjike.
"Kur pamë vendin ku ruhet ky fond u ndjemë zemërthyer, pasi shumica e tyre qëndrojnë në myk dhe lagështirë të madhe. Unë besoj se ky financim do të jetë i duhuri për të shpëtuar këtë pjesë të trashëgimisë suaj, por që është e të gjithëve. Kjo është kohë e vështirë për paratë në të gjithë botën, por të gjithë duhet të angazhohemi nga pak për të ruajtur këto trashëgimi edhe për brezat e ardhshëm",- u shpreh ambasadori amerikan, Arvizu.
Ndërsa drejtori i Qendrës Studimore Albanologjike, Ardian Marashi, u shpreh: "Ne e dime së çfarë ambjentesh kërkojnë muzetë e këtij rangu, megjithatë fondet arkeologjike, të cilat ndodhen poshtë këmbëve tona, ndodhen në një ambient disa herë më pak të përshtatshëm".
Instituti Arkeologjik disponon rreth 20 mijë objekte vetëm në Tiranë, nga të cilat, vetëm 2 mijë janë të ekspozuara. Projekti për përmirësimin e kushteve të ruajtjes fitoi në një konkurs të qeverisë amerikane ku nëpërmjet tij, ambasadorët amerikanë lëvrojnë fonde kushtuar mbrojtjes së trashëgimisë.