Skënderbeu i hedh sërish sytë nga Gilman Lika dhe tashmë tratativa është më e arritshme, duke qenë se futbollisti është pa kontratë. Kryesuesit e kampionatit janë duke vazhduar fazën përgatitore nga Durrësi, ku janë akomoduar që prej ditës së shtunë. Gjatë kësaj periudhe janë të shumta fjalët lidhur me largime apo afrime të mundshme të futbollistëve nga Skënderbeu dhe mbi të gjitha qëndron emri i “ëndrrës” në sirtar të tifozerisë korçare.
Bëhet fjalë pikërisht për Gilman Likën, një emër jo i padëgjuar nga këto anë për sa i përket merkatos të Skënderbeut. Edhe në merkaton e verës shkodrani ishte ndër më të lakuarit si një përforcim i mundshëm i Skënderbeut për fillimin e sezonit, por problemi qëndronte te kontrata e futbollistit, e cila skadonte vetëm në janar të vitit 2013. Tashmë duke parë që futbollisti shkodran është në pritje të ofertave të ndryshme për t’u transferuar, mund të rishfaqet në skenë emri i Skënderbeut, ekip ky që për sa i përket anës financiare, është në gjendje të bëjë një sforco ekonomike për të sjellë në Korçë futbollistin e Kombëtares.
Gilman Lika do të ishte një përforcim i madh për ekipin e Skënderbeut, duke qenë se futbollisti është në gjendje të luajë në disa pozicione në mesfushë. Kjo është një tjetër arsye e fortë për të cilën mund të themi se Skënderbeu është një alternativë për Likën, pasi vetë trajneri i bardhekuqve, Mirel Josa, është vazhdimisht në kërkim të futbollistëve të cilët e njohin mirë Kategorinë Superiore. I pyetur për këtë çështje, vetë presidenti i Skënderbeut Ardian Takaj ka theksuar se është në kontakt me lojtarin. “Duhet të shohim në fillim se si do të shkojë merkatoja në dalje dhe, nëse do të kemi nevojë për përforcime, atëherë do të futemi në merkato plotësisht.
Për momentin jemi duke monitoruar situatën dhe këtu nuk është fjala vetëm për Gilmanin, por edhe për futbollistë të tjerë që janë nën shënjestrën tonë. E ritheksoj se në këtë gjendje që është momentalisht ekipi, nuk ka hapësira për transferimin e ndonjë futbollisti. Nuk kemi nevojë për afrime të reja duke parë formën e mirë që po kalon ky ekip, si dhe kampionët që kemi në skuadër, nga i pari e deri tek i fundit. Nëse do të jetë e nevojshme më vonë, do të dimë se si do të veprojmë”, ka theksuar presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj.