Ky vit ka qenë njëri ndër vitet më produktive në sferën e prodhimit të muzikës. Ishte vit i zbulimit të talenteve, ku shumë shqiptarë arritën të bëhen pjesë e muzikës botërore.
Viti 2012 ishte i tëri për kosovaren Rita Ora. Tre vite pas hyrjes së saj në kompaninë më të madhe për artistë “RocNation”, ajo u shfaq në skenë me këngën “Hot Right Now”. Suksesi i kësaj kënge, i papërshkrueshëm, e dërgoi emrin e Rita Orës të dëgjohej anë e mbanë botës. Singlli tjetër “RIP” dhe “Party and Bullshit”, ishin kulminacioni i suksesit, të cilat bënë që Rita të cilësohej si fenomen i rrallë në skenën muzikore botërore. Paraqitjet e saj modeste, e afërt me çdokënd, bënë që Rita, për një kohë mjaft të shkurtër të krijojë famë të paimagjinueshme në botë.
U shpall si artistja më e mirë e re, ishte pjesëmarrëse në shumë evenimente muzikore, u bë edhe pjesë e reklamave komerciale, e shumë tjera. Por çka e bëri edhe më të veçantë fenomenin Ora, ishte patriotizmi i saj, dashuria për vendlindjen dhe adhurimi për popullin shqiptar. Rita ishte personi i parë që përfaqësoi Kosovën në skenën botërore, duke e përmendur në çdo vend e çdo intervistë. Rita Ora u shpall ambasadore e Kosovës si përfaqësuesja më e mirë për vendin tonë. E mbi të gjitha, klipi I këngës “Shine Your Light” që i kushtohet Kosovës, u realizua në Prishtinë.
Po ashtu edhe Tony Dovolani po e bën krenar kombin e tij me suksesin që po korr në Amerikë. Shumë herë fitues i spektaklit “Dancing with the Stars” në Amerikë, Toni po korr sukses të madh në profesionin e vallëzimit. Ai po ashtu ka qenë trajner i vallëzimit në filmin “Shall We Dance”, ku Toni ka ushtruar aktoren Jennifer Lopez për të vallëzuar.
Modelja Anxhela Martini po shijon një sukses mjaft të madh në Amerikë. Përpos modelimit, ajo solli në treg edhe koleksionin e parë të veshjeve të brendshme, dhe pati një sukses mjaft të madh. Anxhela është bërë fytyrë e njohur në fushën e modelimit në Shtetet e Bashkuara, dhe tashmë po përjeton triumfin në karrierën e saj.
Bukuroshja tjetër, Vildane Zeneli, e cila është njëra ndër modelet më të njohura në Amerikë, përveç suksesit të saj në këtë profesion, ka filluar të merret edhe me muzikë, duke bashkëpunuar me emra të njohur të skenës muzikore si Will.I. Am, Jay Z e shumë tjerë. Klipi ende nuk është publikuar, por sipas Vildanes, pritet të jetë një sukses i madh. Përveç kësaj kënge, modelja kosovare është duke punuar edhe në albumin e saj të parë, të cilin pritet ta lansojë në vitin që po vjen.