Hoze Murinjo, nëpërmjet një interviste të dhënë për gazetën italiane “Tuttosport”, ka konfirmuar dëshirën e tij për të vazhduar në drejtimin e Real Madrid, duke i dhënë fund spekulimeve për një largim të mundshëm në fund të këtij sezoni. Por ai ka bërë të qartë se do të qëndrojë në këtë skuadër të paktën derisa të fitojë Ligën e Kampioneve.
“Do të qëndroj në Madrid dhe do të kërkoj Ligën e Kampioneve të tretë në karrierën time. Humbja e javës së kaluar në Malaga më bëri të mendoj gjerësisht mbi situatën që po kaloj te Real Madrid. Kam takuar në Dubai shumë miq, mes të cilëve Kapelo e Maradona, me të cilët kemi rënë dakord që futbolli ndryshon, e ndryshon, e ndryshon vazhdimisht, çdo ditë, çdo sekondë. Por të jeni të sigurt, një gjë nuk ndryshon kurrë, që është trajneri ai që e bën ekipin”, ishte komenti i Murinjos rreth qëndrimit të tij te madrilenët dhe forcës që ka në këtë skuadër.
“Objektivi im është të fitoj Ligën e Kampioneve me tre skuadra të ndryshme, që nuk e ka bërë askush më parë. Te Reali kjo do të jetë kupa e 10-të, i vetmi ekip që kalon në dyshifror, ndaj është më e veçantë”, shpjegoi më pas ai.