MILANO – Ish-kapiteni dhe legjenda e Milanit, në një intervistë të publikuar të shtunën në shtypin italian, “volli vrer” ndaj drejtuesve aktualë për gjendjen ku është katandisur klubi dhe trajtimin që i kanë rezervuar atij. 

“Isha me fat që qëndrova tek Milani në 25 vitet e tij më të suksesshëm. Kur Berlusconi mbërriti si president, ai na mësoi që të shihnim përtej limiteve tona dhe falë edhe investimeve e mentalitetit të ri që solli, ndërtoi një klub të madh. Gradualisht, u formua diçka magjike, por që u shkatërrua brenda një viti. Tashmë, tek Milani nuk ka më asgjë të veçantë, nuk ka më magji apo shembull për të rinjtë e brezave të ardhshëm. Në të gjithë strukturën e klubit, nuk ka më asnjë person që të ketë shkruar historinë”, akuzoi 44-vjeçari.

“Ndonëse jam në gjendje të kuptoj problemet financiare, largimi i 12 lojtarëve në verë, pa sjellë ansjë në gjendje që t’i zëvendësjë denjësisht, bën të kuptosh se Milani nuk ka absolutisht ndonjë plan apo projekt për të ardhmen”.

I tërhequr nga futbolli në vitin 2009, pritej që Maldinit t’i ofrohej ndonjë rol në klub, por diçka e tillë nuk ka ndodhur. “Kam bërë shumë gjëra në 31 vjet futboll, duke nisur nga akademia e të rinjve. Tashmë ka një rrezik që të mbetem jashtë botës së futbollit, por vazhdoj të kem një lidhje aq të fortë me Milanin, sa që e kam të pamundur të imagjinoj veten në një klub tjetër, jo vetëm italian, por edhe europian”, shtoi Maldini, i cili shpjegoi edhe përse nuk e sheh veten si trajner.

“Nuk më ka pëlqyer asnjëherë jeta gjithmonë në lëvizje e babait tim trajner. Për më tepër, nuk e shoh veten të lidhur me asnjë klub tjetër veç Milanit dhe si trajner, kjo nuk mund të ndodhë. Ajo që nuk më pëlqen është miti se unë jam një i familjes tek Milani. Fatkeqësisht, për një arsye ose një tjetër, ata nuk më duan më atje”.