NEW YORK – Edhe pse kohët e fundit njoftoi se ka hequr dorë nga bota e filmave aksion, legjendari Jackie Chan me siguri që do të shfaqet në pjesën e tretë të spektaklit aksion të Silvester Stallone.
Për "The Expendables 3", e cila në pjesën e dytë mblodhi një ekip me të vërtetë mbresëlënës të aktorëve, Stallone, pas një përpjekje të dështuar me Clint Eastwood, vendosi të angazhojë mjeshtrin e kung-fu, Jackie Chan, raporton Cinema Blend.
"Sly më ftoi edhe në “The Expendables 2”, por unë isha i zënë duke filmuar “CZ12” dhe kurrsesi nuk kam mundur të merrem me të. Megjithatë, ai ftesën e ka ripërtërirë për pjesën e tretë, me të cilën unë u pajtova me kusht që të mos paraqitem vetëm si një karakter episodik", tha Chan.
Përveç kësaj, Chan kishte edhe disa sugjerime për Stallone, dhe i tha që beson se pjesa e tretë, përveç disa skenave të mira të aksionit, duhet të ketë një tregim më të zhvilluar rreth miqësisë, gjë që Sly, me sa duket, e pranoi me entuziazëm.
Kujtojmë se në “The Expendables2” janë shfaqur Jean-Claude Van Damme dhe Chuck Norris, dhe nga shfaqjet në kinematë botërore ka arkëtuar 289 milionë dollarë.