Kanë mbetur në paraburgim pas urdhërndalimit pesë elektriçistët e qytetit të Durrësit. Ata pritet të dalin për masë sigurie në gjykatën e këtij qyteti ditët në vijim për akuzat e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, zbatim të urdhërave të paligjshëm, vetëgjyqësi dhe shkatërrim prone. Sipas policisë së Durrësit të pesë të ndaluarit do të përgjigjen para gjykatës edhe për akuzën e shkatërrimit të pronës, pasi gjatë ndërprerjes së energjisë elektrike kanë shkaktuar djegien e 20 pompave të ujësjellësit në këtë qark.

Mbrëmjen e së premtes me dhjetëra punonjës të CEZ-it kanë protestuar për orë të tëra para drejtorisë së policisë së Durrësit. Ata kërkonin lirimin e pesë kolegëve që u arrestuan pasditen e së premtes. Sipas elektriçistëve shokët e tyre janë të pafajshëm, sepse ata vetëm kanë zbatuar urdhërat e drejtuesve të kompanisë për ndërprerjen e energjisë elektrike në stacionet e pompimit. “Punojmë për 24 mijë lekë të reja në muaj. Çfarë na urdhërojnë, atë bëjmë. Kush nuk mund t’i bindet pronarit dhe drejtorit? Ne jemi hallexhinj dhe arrestimi i shokëve tanë është i padrejtë. Ne nuk na lejoi policia të stakonim energjinë dhe nuk e zbatuam urdhrin e shefave, por mund të ishim edhe ne në burg”,-u shprehën disa prej tyre.

Punonjësit i kanë kërkuar policisë të arrestojë drejtuesit që dhanë urdhrat dhe jo elektricistët e thjeshtë. Në polici u shoqërua edhe drejtoresha e CEZ Shpërndarje në Durrës, Drita Mustafa, e cila ka dëshmuar se me anë të një emaili ka ardhur urdhri nga drejtuesit e lartë të kompanisë për ndërprerjen e energjisë elektike në të gjitha objektet në varësi të Ujësjellës Kanalizimeve të qarkut të Durrësit. Sipas saj urdhri më pas u është shpërndarë të gjithë punonjësve.