Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka kthyer listat e kandidatëve për deputetë thuajse të gjitha forcave politike të regjistruara më 8 mars për zgjedhjet e 25 Prillit, mes tyre edhe Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike-Aleanca për Ndryshim. Probleme janë hasur në listat e tyre në qarkun e Durrësit, pasi lista e PS-së ka probleme me deklaratat e kandidatëve për deputetë, ndërsa ajo e PD-Aleanca për ndryshim ka emra me shumë sesa numri i kërkuar i kandidatëve për deputetë
“PS ka paraqitur një kërkesë për miratimin e listave shumë-emërore. KQZ ka verifikuar listën e kandidatëve dhe ka konstatuar mangësi. Kërkesa për qarkun Elbasan nuk është në përputhje me kriterin gjinor. Gjithashtu ka dhe disa deklarata të kandidatit për deputet të qarkut Durrës, Korçë, Fier, në formularin e vetëdeklarimit në disa pika figurojnë të paplotësuara, si atësia dhe amësia. Në listat e vetëdeklarimit në Fier, Lezhë dhe Vlorë ka parregullsi në lidhje me formularin, mungon firma dhe nuk është plotësuar një rubrikë”, u shpreh përfaqësuesi I KQZ.
Për listat e Partisë Demokratike-Aleanca për Ndryshim, përfaqësuesi i KQZ u shpreh se në 11 qarqe është tejkaluar numri i kërkuar i kandidatëve për deputetë. Në listën e qarkut Durrës ishin 21 kandidatë për deputetë. Nga ana tjetër në Tiranë dhe Korçë nuk është respektuar kuota gjinore.
“Është regjistruar si subjekt zgjedhor. Ka paraqitur në KQZ listat shumë-emërore. Është bërë verifikimi dhe janë konstatuar mangësi, në qarkun Tiranë, Elbasan, Berat, Kukës, Gjirokastër, Dibër, Shkodër, Durrës, Fier, Vlorë, dhe Korçë listat kanë tejkaluar numrin e kërkuar të kandidatëve dhe kanë mospërputhje të tjera ligjore. Në qarkun Tiranë dhe Korçë nuk është respektuar kuota gjinore. I kërkoj KQZ të kthejë listat zgjedhore të Partisë Demokratike, Aleanca për ndryshim”, deklaroi ai.





