12 tetor 2015 – Pronësia mbi një parcelë me pemë gështenjash është bërë shkak për vrasjen e 58-vjeçarit Ndrec Prendi në fshatin Selitë të Kurbinit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 8:00 të mëngjesit të sotëm dhe pak orë pas vrasjes, policia ka identifikuar si autorë të këtij krimi vëlla e motër Indrit dhe Xhoana Ndoci, përkatësisht 29 dhe 24 vjeç, që të dy banues në fshatin Selitë.

Nga hetimet e para të grupit hetimor është bërë e ditur se mes autorëve dhe viktimës ka pasur edhe më parë konflikte për shkak të një sipërfaqeje toke me gështenja që pretendohej nga të dyja palët.

Por mëngjesin e sotëm, vëlla e motër kanë gjetur 58-vjeçarin duke vjelur gështenjat dhe ky veprim i kushtoi jetën. 29-vjeçari Indrit Ndoci pasi ka debatur me viktimën ka marrë menjëherë armën e zjarrit duke qëlluar me breshëri në drejtim të tij.

Kanë qenë banorë të zonës të cilët kanë dëgjuar të shtënat dhe kanë njoftuar mënjëherë policinë në lidhje me ngjarjen. Sipas tyre, viktima kishte pasur lidhje krushqie me autorët e krimit.

Vëlla e motër janë shpallur në kërkim dhe forca të shumta policie janë angazhuar për kapjen e tyre.

/S.L. portali DurresLajm/