12 tetor 2015 – Baza e Partisë Socialiste në Durrës i kujton me nostalgji kohët kur dyert e selisë në katin e katërt të godinës kanë qenë të hapura, dhe aty në korridore shkëmbeheshin ide, bëheshin debate dhe pse jo kur partia ishte në pushtet, ndaheshin edhe vendet e punës. Prej javësh që Partia Socialiste e Durrësit është përfshirë në një ristrukturim të thellë që ka nisur me zgjedhjet e krerëve të organizatave në bazë, kryefjalë është hapja e partisë, hapja e selisë së saj.
Burimet nga kjo parti bëjnë me dije se krerët socialistë nën drejtimin e të deleguarit nga qendra Sajmir Tahiri, janë duke zhvilluar zgjedhjet për krerët e organizatës socialiste në të gjithë bashkinë e madhe. Organizatat socialiste funksionojnë në bazë të qendrave të votimit, dhe këtë radhë janë 310 të tilla, në Durrës, Sukth, Manzë, Katund i Ri, Rrashbull dhe Ishëm që funksionojnë si një strukturë e vetme.
Në këto takime bëhet zgjedhja e krerëve të organizatave, që më pas do të krijojnë asamblenë, anëtarësimet e reja, dhe mblidhen propozimet për kreun e PS-së të bashkisë së Durrësit. Burimet sqarojnë se kërkesë parësore është hapja e partisë me frymë të re, por gjatë mbledhjeve socialistët kanë shprehur pakënaqësi në lidhje me punësimin e tyre. Pakënaqësitë u janë bërë me dije tiullarëve aktualë të Partisë, madje edhe Sajmir Tahirit si i deleguar nga qendra.
Deri tani asnjë prej deputetëve, drejtuesve apo të angazhuarve në partinë më të madhe udhëheqëse, nuk ka shfaqur ambicie për të kandiduar në krye të Partisë Socialiste. Në fund të procesit të ristrukturimit të organizatave socialiste pritet mbledhja e asamblesë së PS-së, në përbërje të së cilës janë krerët e këtyre organizatave. Kjo asamble do të shqyrtojë kandidaturat dhe propozimet e bëra për kreun e PS-së nga baza dhe ato të vetëshpallura. Deri tani nuk është përcaktuar ende një datë se kur do të përfundojnë zgjedhjet e organizatave apo mbledhja e asamblesë, e cila do të përcaktojë edhe zgjedhjet për kryetarin e PS-së së Durrësit, si produkt final i kësaj reforme.
Ndër emrat që përfliten si kandidatë për të marrë drejtimin e PS-së në Durrës, janë ata të krerëve aktualë Alfred Mullarajt që mban pozicionin e kreut të PS-së për qytetin, Gentian Bejko deputet, kryetar i PS-së për qarkun, dhe Vangjush Dako, kryetar i bashkisë në mandatin e tretë qeverisës. Mund të ketë të tjerë, por deri tani asnjë nuk është pozicionuar për të shpallur kandidaturën. Mësohet se në të gjithë bashkinë e madhe të Durrësit, socialistët kanë vënë si qëllim primar anëtarësimet e reja në parti, për të fituar edhe konkurencën me partitë rivale, në qasjen e të rinjve pranë formacioneve politike.
Partia Socialiste e Durrësit hyn në zgjedhjet e brendshme pasi ka fituar zgjedhjet vendore, ndërsa kreu i bashkisë Dako mori mandatin e tretë qeverisës. Po kështu PS nis ristrukturimin në mandatin e tretë qeverisës, ndërsa përballet me premtimet e dhëna gjatë elektoratit të saj, dhe situatës reale pasi gjenden në pushtet si forca e parë qeverisëse.
/K.H. portali DurresLajm/