11tetor 2015 – Pas fitores 3-0 ndaj Armenisë, që ngre futbollin shqiptar në një pozicion si kurrë më parë dhe e çon për herë të parë në një Kampionat Europian nuk mund të mungonin komentet e liderëve kryesorë në vend.

Kryeministri Edi Rama ka postuar një foto në rrjetet sociale, me djalin e tij Zahon, ndërsa ndjekin fitoren e Shqipërisë, ndërsa shkruan se ëndrra e pamundur u bë realitet, shkruan balkanweb.

“Ëndrra e pamundur u bë realitet! Shqipëria në historinë e Finaleve të Europianit! Mirënjohje Kuqezinjve dhe DeBiazit”, shkruan Rama, i cili më herët kishte postuar sërish pas golit të tretë. “Goooooooool… Fati është me atë që nuk dorëzohet!”, shkruante Rama.

Por fitoren e ka përshëndetur edhe lideri i opozitës, Lulzim Basha, i cili përveç urimit ka kërkuar lirimin e Ballist Morinës.

“Përpara shqipe! Mirënjohje Kombëtares Kuq e Zi! Lironi Ballist Morinën!”, shkruan Basha.

/portali DurresLajm/