10 tetor 2015 – Në PD-në e Durrësit, askush nuk e di me saktësi se çfarë do të ndodhë, e si do të shkojë analizimi i rezultatit të zgjedhjeve të 21 qershorit. Por, evidente është fryma për të riformatuar tërësisht strukturat e PD-së, dhe për të zhvilluar zgjedhje të reja për kreun e PD-së. Eduart Halimi, deputet i Durrësit, i pyetur nga portali “DurrësLajm”, tha se Ristani do të kryesojë punën në Durrës, ndërsa vetë ai do të jetë në analizën e Kavajës.
“Fillimisht është menduar analiza e zgjedhjeve dhe më pas riorganizimi. Nuk mund të flas shumë me detaje, sepse më së miri e di Arben Ristani. Ai është caktuar si kreu i grupit për analizën e Durrësit. Unë jam për Kavajën”, nënvizoi Halimi.
Por zgjedhjet e qershorit të 2013-s, e kanë katandisur PD-në e Durrësit sa një thelë kokoshi. Madje rezultati më negativ i shënuar që prej themelimit të degës, ka sjellë jo pak përçarje brenda partisë më të madhe opozitare, aq sa zëra të fuqishëm brenda kryesisë kërkojnë që analiza e zgjedhjeve të pasojë me një riformatim të të gjitha strukturave nga qendra në bazë.
Zëra brenda PD-së flasin për kandidatë potencialë për kryetar, duke nisur nga Ardian Muka, Denion Shëngjergji, rikthimi i Igli Carës, apo edhe i Armand Telitit. Megjithatë, asnjë prej emrave të përfolur nuk ka shprehur ambicie të drejtpërdrejtë, por propozimet vijnë nga baza dhe anëtarë të strukturave të PD-së.
“DurrësLajm” ka pyetur disa prej anëtarëve të kryesisë së PD-së të Durrësit, në lidhje me analizmin e zgjedhjeve dhe atë çfarë pritet të ndodhë. Të gjithë anëtarët e pyetur që i përkasin rrymave të ndryshme brenda strukturave të PD-së, konvergojnë në një qëndrim të vetëm, përsa i përket riorganizimit të PD-së.
“Duhen zgjedhje të reja, demokratike dhe të lira. Osman Stafa duhet të largohet, pas kësaj humbjeje të thellë që ka pësuar në zgjedhje PD-ja. Kryesia duhet të ristrukturohet, të rizgjidhen njerëz të rinj, madje edhe nëse nuk do të jemi më në kryesi, pak rëndësi ka, para faktit që duhet bërë diçka dhe shumë urgjente, sepse PD-ja e Durrësit është në buzë gremine”, është qëndrimi që i bashkon të gjithë anëtarët e pyetur, të cilët ndahen në tre grupime.
1) Për grupin e parë analiza duhet të zhvillohet, është e padiskutueshme, dhe menjëherë të zhvillohen zgjedhje të reja për kryetar e për anëtarë. "PD-ja e Durrësit është mbyllur, duket sikur zyrat janë privatizuar, ndërsa kreu i PD-së Lulzim Basha, duhet të hapë partinë e të mos largojë njeri. PD-së i duhet një lider, që të mbledhë anëtarët e të drejtojë. Stafa vetëm lider që nuk është. Aktualisht kreu i PD-së Osman Stafa nuk ka integritet, sepse është rrenacak, ndërsa drejton PD-në krejt ndryshe nga paraardhësit e tij, Armand Teliti apo Igli Cara. Mendoj që duhet të hapet partia, dhe të thërriten edhe ata që e themeluan, ata që janë larguar prej saj. Roli i Stafës është pasiv, dhe e ka përçarë PD-në".
2) Grupi i dytë mendon që riformatimi i PD-së duhet të pasojë me zgjedhje të brendshme. "Ne kemi një grup pune që ka në përbërje F. Xhaferrin, A. Vokshin, E. Spahon, G. Dumën, Osman Stafën etj. Por a janë pikërisht këta njerëz që e çuan PD-në në humbje? Kreu i PD-së Lulzim BAsha, a do ti mbajë sërish këta njerëz si liderë të strukturave, ndërkohë që ata janë edhe përgjegjës? Mesa duket jemi në dijeni, që janë disa kandidatura që kërkojnë kreun e PD-së së Durrësit. Zgjedhjet, mirë i bëjnë partisë".
3) Rryma tjetër brenda PD-së i mëshon faktit se, riorganizimi është thelbësor, por mbetet në dorë të partisë. "Asnjë në parti nuk e di me qartësi çfarë do të ndodhë, apo se si do të bëhet riorganizimi i strukturave. Këtu ka hatërmbetje të mëdha, dhe jo rrallë ka patur përplasje jo vetëm mendimesh dhe idesh. Akoma nuk jemi njohur me një platformë të analizës, e gjërat nuk kanë dalë në sipërfaqje që të flasim se çfarë e si do të bëhet PD-ja. Vetëm analizë, apo zgjedhje, nuk e dimë, presim çfarë do të na sjellin për udhëzime. Partia Demokratike nga baza në grupseksione e deri në majë është e pariorganizuar dhe ka humbur shumë terren".
/K.H. portali DurresLajm/