9 tetor 2015 – Pavarësisht humbjes 0:2 ndaj serbëve, kryeministri Edi Rama ndjehet krenar dhe i lumtur me shqiptarët për ndeshjen dinjitoze të zhvilluar në “Elbasan Arena”.

Sipas tij, dje, Shqipëria e qytetaria shqiptare, fituan testin e jashtëzakonshëm të mikpritjes tradicionale të shtëpisë së shqiptarit dhe po njësoj, të dinjitetit të një populli europian.

Në një deklaratë për mediat, shefi i qeverisë shqiptare tha se mbajtja lart e nivelit të kulturës sportive në kushtet e një tensioni të madh, jo vetëm sportiv, i ka dhënë tre pikë të arta Shqipërisë si vend dhe shqiptarëve si popull.

“Sot, kur të gjithë ne, shqiptarët, jemi gdhirë të palumtur pas një humbjeje krejt të befasishme në fushën në lojës, pak ose aspak e kemi mendjen tek fakti se jashtë fushës së lojës i kemi befasuar të gjithë të tjerët, me nivelin e lartë të dinjitetit qytetar dhe sportiv. Përfshirë edhe kundërshtarët tanë.

E ky nuk është aspak një ngushëllim për humbjen në fushën e lojës, mjafton të parafytyrosh se çfarë do të ishim duke ndjerë dhe duke folur sot, nëse ultrasit kuqezinj do të kishin rënë në batakun e turpshëm të huliganëve serbë në Beograd. Kuqezinjtë në tërësi dhe Shoqata e Tifozëve Kuqezi në veçanti u treguan fantastikë, në mbështetjen entuziaste të skuadrës për 90 minuta, po edhe në dhënien e provës së pakontestueshme të dallimit të qartë mes klimës mbytëse të stadiumit të Beogradit dhe atmosferës festive të Elbasan Arenës. Për 94 minuta nuk është dëgjuar asnjë kor racist. Nuk është sulmuar verbalisht asnjë lojtar serb.

Jo vetëm që skenat e shëmtuara të sendeve të forta që fluturonin mbi kokat e futbollistëve tanë, gjatë ndeshjes së një viti më parë, nuk janë përsëritur as në formën më minimale, po madje është duartrokitur me sportivitet shembullor kapiteni i skuadrës serbe, gjatë daljes nga fusha për shkak të dëmtimit në lojë.

Dua t’u përulem me mirënjohjen më të madhe të gjithë atyre, mijëra e dhjetëra mijëra, mbase qindra mijëra sportdashësve që e mundësuan kalimin me kaq sukses të këtij testi kaq të vështirë për Shqipërinë mikpritëse”, deklaroi Rama.

Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri tregoi se të gjithë duhet të ndjehemi krenarë për shembullin e shkëlqyer të qytetarisë europiane, që kuqezinjtë dhe Shqipëria kuqezi dhanë në shkallët e stadiumit duke bërë diferencën.

/S.L. portali DurresLajm/