8 tetor 2015 – Ish-kryeministri socialist, Pandeli Majko ka deklaruar se në Shqipëri po bëhet nami me kontrabandën e ilaçeve dhe naftës. Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, teksa po diskutohej për disa ndryshime në Kodin Penal, deputeti socialist foli ashpër mbi disa doganierë të korruptuar të vendit tonë, duke i cilësuar si maskarenj dhe që e meritojnë të jenë në burg.

“Janë ca maskarenj që punojnë në doganë dhe bëjnë pelivanllëqe. Këta janë ca horra që e kanë vendin vetëm në burg, se po u vure gjobë, shkojnë dhe paguajnë gjykatësin nën dorë…

Është bërë një debat në Komisionin e Shëndetësisë për këtë histori, ne sjellim ndryshime që t’i fusim në burg këta, se po bëhet nami me barnat…

Pyet të gjithë shoferët e Shqipërisë për naftën që po përdoret në vendin tonë, po bëhet nami. Shqetësimi i opozitës dhe i yni është që me qytetarin e thjeshtë që mban veten dhe shtëpinë e vet me një biznes të ligjshëm, normal që karshi tij do të jemi më tolerant. Por jo me kontrabandistin që fut ilaçe, që kontrabandon naftën apo që ka mendje të bëjë kontrabandë”,shpërtheu Majko.

/portali DurresLajm/