6 tetor 2015 – Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Rama se ka ndikuar në një tender për ndërtimin e godinës së OSHEE-së. Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, tha se tenderi për godinën e OSHEE ishte i paracaktuar, dhe i është dhënë mikut të kryeministrit Rama.

Por kompania OSHEE ka reaguar pas kësaj deklarate, duke u shprehur se nuk mund të pranojë kritika nga ata që i quan shkatërruesit e djeshëm.

DEKLARATA E PLOTË E EDI PALOKËS

Edi Rama ia dha dje 4 miliardë e 540 milionë lekët mikut të tij për ndërtimin e godinës së OSHEE, edhe pse kjo aferë u denoncua publikisht nga Partia Demokratike, me date 11 shtator, edhe pse opinioni publik u informua për këtë tender ku fituesi ishte i paracaktuar.

Fituesi u shpall dje, dhe ai është ndërtuesi i sarajeve të Edi Ramës, miku i tij i vjetër në biznes, Carapuli, ashtu siç kishim paralajmëruar ne me denoncimin publik që bëmë.

Ky është një korrupsion i pastër me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Edi Ramës. Masha e tij e bindur në OSHEE vetëm sa ka zbatuar porosinë në këtë rast.

Miku, partneri, ortaku i Edi Ramës mori tenderin prej 4 miliardë e 540 milionë lekësh, edhe pse kishte paraqitur ofertën më të lartë.

U skualifikua subjekti tjetër që u fut në garë duke ofruar 740 milionë lekë më pak, pra që do ti kursente qytetarëve shqiptarë 740 milionë lekë.

Vetëm një urdhër i Edi Ramës do të sillte këtë rezultat, që fitues të shpallet dikush që e ka ofertën 500 mijë euro më të madhe.

Askush nuk do të kishte guxim kaq të marrë për të dhënë një tender të tillë, pa urdhrin e Edi Ramës, urdhrin e atij që vendos në fakt për çdo tender në vend.

Shqipëria nuk është në ditën kur respektohet procedura, ligji, kur kursehen paratë në tendera.

Miku dhe interesi i Edi Ramës prevalon mbi të gjitha.

Pazaret dhe aferat e Edi Ramës janë urdhri.

Ky korrupsion, kjo babëzi, kjo zhvatje bëhet pikërisht me paratë që OSHEE, kjo bande kriminale, ua ka marrë shqiptarëve me kërbaç, duke i shtypur e poshtëruar, duke i dërguar në burg, e shpesh duke u marrë dhe jetën.

Kanë përfunduar në burg e kanë vrarë vetën për 30 mijë lekë të vjetra qytetarët tanë, ndërkohë që kryeministri ndan miliardat me mikun e tij në shkelje të ligjit e procedurës.

Po dhunohen çdo ditë mijëra qytetarë që jetojnë me një dyqan të vogël, ndërkohë që Edi Rama sdo tia dijë për asnjë rregull apo ligj, jep 4 miliardë e 540 milionë lekë për ndërtuesin e sarajeve të tij të luksit.

Shihni me sa lehtësi këto para të gjakut të qytetarëve ndahen si tortë mes miqve e ortakëve.

Këtu kemi arritur.

Nuk ka më kohë të dashur qytetarë.

Vetëm drejtësia që vjen nga bashkimi ynë për të ndalur këtë oligarki të korruptuar e kriminale, është rruga e daljes.

REAGIMI I OSHEE: NUK PRANOJMË KRITIKAT E SHKATËRRUESVE TË DJESHËM

Por kompania OSHEE ka reaguar pas kësaj deklarate, duke u shprehur se nuk mund të pranojë kritika nga ata që i quan shkatërruesit e djeshëm.

“Kompania jonë pranon çdo kritikë nga klientët dhe punon çdo ditë me bindjen se ka ende shumë për të bërë që t’u sherbejë klientëve siç e meritojnë. Por kompania jonë nuk i pranon kritikat e shkatërruesve të saj të deridjeshëm, të cilët e lanë OSHEE-në rrugëve nëpër skuta të marra me qerara marramendëse dhe me 1 miliard dollarë borxhe.

Ne do të ndertojmë qendrën e re moderne të kompanisë sonë për të kursyer parate e qirave në vite si edhe per t’i sherbyer me dinjitet të plote klientëve.

Ndërsa partisë së shkatërruesve të kompanisë kur ishin në pushtet dhe shpifësve profesionistë tani që janë në opozitë, u themi vetëm të mos harrojnë të paguajnë rregullisht dritat.

Për të tjerat le të thonë ç’të duan!”, thuhet në reagimin e OSHEE-së.

REAGON SËRISH PD: ADRIAN ÇELA DO TË MBAJË PËRGJEGJËSI PËR TË GJITHA ABUZIMET

Partia Demokratike ka reaguar lidhur me deklaratën e OSHEE-së, duke akuzuar administratorin Adrian Çela si përgjegjësin kryesor për qindra burgosje, dhunime e humbje jetësh të qytetarëve të pamundur të vendit. Më tej PD zotohet se Çela do të provojë  atë çka  provoi Qamil Zela kur u dërgua në burg për 35 mijë lekë të vjetër debi.

Deklarata e PD-së

Kryehajduti i OSHEE-së Adrian Çela, kryebanditi që është direkt përgjegjës për qindra burgosje, dhunime e humbje jetësh të qytetarëve të pamundur të vendit, e ka bërë zakon të mos përgjigjet për faktet konkrete që denoncon Partia Demokratike, por të sulmojë opozitën si militant i regjur partiak.

Kryehajduti firmosi dje 4 miliardë e 540 milionë lekë për mikun e Edi Ramës, para të marra nga gjaku i shqiptarëve, dhe nuk jep asnjë shpjegim për këtë zhvatje.

Partia Demokratike ka një mesazh për këtë kryehajdut e kryebandit:

Shpejt do të vijë dita që do të mbash përgjegjësi për gjithë abuzimet, vjedhjet, tenderat, klientelizmin, padrejtësitë dhe jetët e shqiptarëve që ke marrë në qafë.

Partia Demokratike të jep fjalën se do të provosh atë çfarë provoi Qamil Zela kur e dërgove në burg për 35 mijë lekë të vjetër debi.

/portali DurresLajm/