6 tetor 2015 – Në publikimin e email-eve të Hillary Clinton-it, ish-Sekretares amerikane të Shtetit dhe aktualisht kandidate për presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk ka shpëtuar as Shqipëria.
Prestigjiozja “Ëashington Post” ka botuar gjatë së hënës një artikull ku flitet për një email që Clinton, nëpërmjet këshilltarëve të saj, ka marrë nga manjati George Soros, më 23 janar 2011, vetëm dy ditë pas demonstratës së 21 Janarit në Tiranë. Një email që sipas “Ëashington Post”, provon lidhjet e forta të Clinton-it me donatorët e fushatës së saj.
Në këtë email, Soros bën një pasqyrë të asaj çfarë ka ndodhur në Tiranë dhe kërkon ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian për të stabilizuar situatën në Shqipëri, pasi siç shkruan ai, “situata është shumë e tensionuar”.
“Unë jam veçanërisht i shqetësuar në lidhje me veprimet e kryeministrit. Është videokasetë e anëtarëve të Gardës Kombëtare që qëllonin mbi demonstruesit nga tarraca e Kryeministrisë. Prokurori (i emëruar nga Partia Demokratike), ka lëshuar urdhër-arreste për individët në fjalë. Kryeministri e kishte akuzuar më parë opozitën se ka vrare qëllimisht këta aktivistë. Pasi kaseta doli, deputetë nga partia e tij e akuzuan prokurorin për planifikimin e një grusht shteti në bashkëpunim me opozitën, një akuzë të cilën zoti Berisha e përsëriti sot”, thuhet në emailin e George Soros.
Në email-in dërguar Sekretares së Shtetit, Clinton në atë kohë, Soros propozon që t’i bëhet thirrje e menjëhershme kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës në atë kohë, Edi Rama, që të ndalin protestat e ardhshme dhe të tërhiqen nga deklaratat që nxisin revoltë.
Ndërsa pika e dytë, e cila sipas George Soros duhet të bëhet në mënyrë urgjente, është caktimi i një ndërmjetësi ndërkombëtar nga SHBA-ja dhe BE-ja, për të ulur në tryezë dy partitë.
“SHBA dhe BE-ja duhet të punojnë në harmoni të plotë mbi këtë çështje, por duke pasur parasysh aspiratat europiane të Shqipërisë, BE-ja duhet të marrë rolin udhëheqës. Kjo është arsyeja pse unë sugjeroj për të emëruar një ndërmjetës të tillë si Karl Bildt, Marti Ahtisari ose Miroslav Lajçak, të gjithë kanë lidhje të forta me Ballkanin”, propozon Soros.
Ajo që bie në sy është fakti se mes tre emrave të propozuar është dhe ai i Miroslav Lajçak, ai që më pas do të ishte në të vërtetë ndërmjetësi i dërguar nga ndërkombëtarët për të ulur tensionet mes Berishës dhe Ramës në fillim të 2011-s. Se sa ndikim ka pasur Soros tek Hillary Clinton, kjo gjë nuk dihet, por në rastin më të mirë provohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndikim shumë të madh në vendimet që kanë të bëjnë me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka muaj që ka nisur debati për përdorimin e email-it personal në kohën që Hillary Clinton ka qenë Sekretare Shteti. Madje, ajo është akuzuar për mos përdorimin e email-it zyrtar. Kjo çështje u bë edhe më e debatueshme kur zonja Clinton priste që të shpallte kandidaturën e saj për presidente brenda radhëve të demokratëve, e cila deri më tani është edhe emri më i favorizuar në radhët e partisë së Presidentit Obama. /Top Channel
/portali DurresLajm/