*Rama: Kemi juristë me diploma "qofte te daja". Në Gjermani të shkohet për punë të ligjshme, jo azil
5tetor 2015 – Ka qenë i ashpër në fjalën e tij sot kreu i qeverisë, Edi Rama para nisjes së kursit nga studentë të Infermierisë, në shtetin gjerman, duke i hapur rrugë punësimit në këtë shtet. Ai e ka quajtur sot problem të mprehtë atë të azilkërkuesve, kryesisht në Gjermani, por që sipas tij kjo është rruga më e shkurtër, por del gjatë, pasi azilkërkuesit sërish do të kthehen në vend. “Janë shumë pak shqiptarët që mund ta ndërmarrin që sot, duke pretenduar që brenda javës në Gjermani, të kërkojnë të jenë të punësuar të ligjshëm. Sepse në 20 e kusur vite, jo vetëm varfëria dhe plagët e mëdha në të gjithë sektorët nuk krijuan kushtet që ne sot të ishim më mirë saç jemi në fakt, por sepse në 20 e kusur vite, këtu u parapëlqye të ndërtohej shteti i “qofteve të dajës”. U parapëlqye të ndiqej politika “qofte te daja”. Një nga “qoftet te daja” ishte universiteti i bazuar tek pagesat dhe marrja e një diplome pa asnjë vlerë”, tha Rama.
Sipas tij, arsimi profesional është rruga e ligjshme e punësimit në Gjermani apo në vend tjetër të BE-së. “Ne vendosëm të bëjmë atë që duhet të ishte bërë 20 vjet më parë dhe nuk do ishim sot këtu; të çelim korsinë alternative, sepse jo të gjithë shqiptarët do bëhen juristë, ekonomistë, inxhinierë, se përderisa nuk janë bërë të gjithë gjermanët të tillë, nuk kanë pse të bëhen dhe gjithë shqiptarët të tillë. U katandisëm vendi me numrin më të madh të juristëve për metër katrorë në botë. Kemi më shumë juristë sesa çdo vend tjetër i botës. Për këtë arsye kemi dhe drejtësinë më të degjeneruar në Europë. Kemi juristë me diplomë, por s’kemi realisht gjyqtarë, prokurorë dhe njerëz të një sistemi normal drejtësie”.
Sot ishte ceremonia e nisjes së 250 studentëve të Infermierisë për t’u trajnuar në Gjermani për dy vjet dhe duke i hapur rrugë punësimit të ligjshëm të tyre.
/portali DurrësLajm/