5tetor 2015 – Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, njëkohësisht aleati kryesor i PS-së në mazhorancën qeverisëse, tregoi se ndryshimet në qeveri do të ndodhin. Pas mbledhjes së kryesisë së LSI-së, ku Meta deklaroi se është pro procesit të shpejtë të dekriminalizimit, tha se kërkon impulse të reja në qeveri, duke nënkuptuar kështu ndryshime ministrash, por i takon kryeministrit Rama të marrë vendime.

“Ne gjithmonë kërkojmë impulse të reja qeverisëse, standardet më të larta, sa për ndryshimet ia kemi lënë kryeministrit iniciativën, i takojnë kryeministrit ndryshimet”, u shpreh Meta, i pyetur nga gazetarët për diskutimet e fundit në lidhje me ndryshimet e ministrave.

Por, pak orë më parë, kreu i qeverisë dhe i PS-së, Edi Rama, la të kuptohet e kundërta. Ai iu drejtua mediave si autore të fjalëve për ndryshim. “Ju i thoni, ju i shkruani vetë dhe më pas i besoni ato që shkruani. Ndryshimet në qeveri, të sajuara”, tha Rama, ndonëse ishte jo shumë bindës me këto fjalë. Ditët e fundit qarkullojnë të dhëna se do të ketë ndryshime në qeveri dhe një prej tyre që do të lëvizë është vetë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

/portali DurresLajm/