5tetor 2015 – Ngjarja e ndodhur në Bashkinë e Tiranës, kur një punonjëse e shkarkuar pretendon se u dhunua nga kryebashkiaku Erion Veliaj u rikthye sot në Komisioni Parlamentar të Punës dhe Çështjeve Sociale. “Eshtë hipokrizi të diskutosh për Kodin e Punës dhe të harrosh se vetëm një javë më parë në zyrat e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ish-ministrit të Mirëqënies Sociale, i cili ka firmosur për këtë kod pune, të dhunohet punonjësja e shkarkuar me vendim të njëanshëm, pa respektuar kontratën e punës”, u shprehën përfaqësuesit e PD në këtë komision.

Deputetët e PD-së theksuan se Neni 90, i propozuar nga qeveria sanksionon me ligj shfrytëzimin e punonjësve. Në këtë nen propozohet që “Punëdhënësi mund të urdhërojë, në mënyrë të njëanshme, kryerjen e orëve shtesë të punës, por jo më shumë se 200 orë në vit”, duke sanksionuar kështu me ligj shkeljen e të drejtave të punonjësve.

Neni 43 i propozuar nga qeveria përjashton gratë nga tregu i punës gjatë lejes së paslindjes edhe në rastet kur ajo dëshiron të punojë. Edhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare e kanë konsideruar këtë një përjashtim nga tregu i punës sidomos duke marrë në konsideratë kushtet e një papunësie të lartë në Shqipëri sidomos ndër gratë.

“Për të mbuluar pazaret me vendet e punës, qeveritarët kanë hequr në Kodin e Punës zbatimin e vendimit të formës së prerë të gjykatave për kthimin në vendin e mëparshëm të punës”, u shprehën përfaqësuesit e Partisë Demokratike në komision.

/portali DurresLajm/