5 tetor 2015 – Erion Veliaj ka caktuar së fundmi shef të inspektimit tatimor në terren, një person të dënuar për plagosje me dashje. Kështu ka deklaruar sot Leonard Olli, kryetari i listës së këshilltarëve të PD-së në Bashkinë e Tiranës.

Sipas demokratit, Artan Ligori në maj të vitit 2007 ka plagosur një grua dhe për ta vërtetuar këtë fakt, Olli ka publikuar dhe vendimin e gjykatës që e ka dënuar Ligorin në tetor të vitit 2007.

Për PD-në, kjo është një tradhëti që u bëhet qytetarëve të Tiranës, pasi ata nuk kanë votuar që Erion Veliaj ta mbushë bashkinë me autorë plagosjesh.

Deklarata e Leonard Ollit:

Edhe pse nuk ka dhënë ende asnjë shpjegim, asnjë reagim për inkriminimin që i bëri Bashkisë duke emëruar drejtor në Ujësjellës ish-nënkryetarin e komunës Levan autor i plagosjes në mes të ditës së dy qytetarëve me armë pa leje, Erion Veliaj vazhdon ta pasurojë organikën me persona me precedentë penalë.

Veliaj ka caktuar së fundmi përgjegjës në terren për tatimet një person të dënuar për plagosje me dashje.

Pikërisht, ka vënë në një detyrë delikate që ka të bëjë me raportin e drejtpërdrejtë me qyterarët dhe me biznesin, Artan Ligorin, i cili në maj të vitit 2007 ka plagosur një grua.

Kemi këtu vendimin e gjykatës që e ka dënuar Ligorin në tetor të vitit 2007.

Eshtë dënuar për plagosjen me dashje të një gruaje, ndërkohë Erion Veliaj e bën shef të inspektimit tatimor në terren.

Këto janë standardet e Erion Veliajt, i cili po ndjek me vërbëri modelin e shefit të tij Edi Rama në inkriminimin e administratës dhe posteve kyce.

Kjo është një tradhëti që u bëhet qytetarëve të Tiranës, të cilët nuk kanë votuar që Erion Veliaj ta mbushë bashkinë me autorë plagosjesh.

Degradimi në një kohë kaq të shkurtër i Erion Veliajt nuk është aspak surprizë, pasi ai ishte që në fillim një kandidat kallp dhe i gënjeshtërt. E vërteta është se ai është thjesht një zgjatim i qeverisjes qendrore dhe bashkëjetesës me krimin.

/portali DurresLajm/